English

Ilir Gjoni: raporti i DASH, lajm i hidhur për kryeministrin

Ilir Gjoni Deputet i Partisë socialiste në fjalën e tij në Kuvend ka folur lidhur me raportin mbi Shqipërinë nga Departamenti i shtetit Amerikan.
Ai u shpreh se aktori i vetëm politik që refuzon kokëfortësish ta cojë vendin drejt integrimit europian është Sali Berisha.

Këto ditë u publikua raporti vjetor i DASH për të drejtat e njeriut. Të bën përshtypje se kapitulli për Shqipërinë, pasqyron një realitet të saktë që fatkeqësisht nuk shkon me kahje pozitive, por drejt përkeqësimit.
Rrallë ndodh që e vërteta është e ëmbël. Ajo pothuajse, pandryshueshmërish është e hidhur. Dhe kjo u provua katërcipërisht dje, duke parë reagimet e paargumentuara dhe demagogjike të vetë Kryeministrit.
“Këto raporte, të cilat Departtamenti Amerikan i Shtetit ka mëse katër dekada që i publikon, kanë qëllim që t’ju bëjnë të qartë qeverive në mbarë botën mesazhin se “Ne po ju vëzhgojmë dhe ju bëjmë ju përgjegjëse. Këto raporte, po ashtu u bëjnë të qartë shtetasve dhe aktivistëve të këtyre vendeve: Ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju.”
Këto janë fjalën e Sekretares së Shtetit Hilari Klinton në prezantimin e Raportit të sapo dalë. Me një fjalë ia ka bërë të qartë qeverisë shqiptare, do me thënë Sali Berishës, se pavarësisht brockullave të tij për liri të papara, arritje ekonomike përrallore, liri e të drejta pa kufij (këtu nënkupto për veten e Familjen e tij), SHBA nuk është as Gazeta 55 e Fahriut milioner apo RDja e Salës, ato i thonë bëj kujdes se e ke menderosur dhe për këtë je përgjegjës t’i dhe qeveria jote.
Gjetjet që skanon ky raport janë tronditëse. Vështirë të gjesh qoftë edhe një fushë të vetme që do ta bënte vendin tonë të konsiderohej një demokraci funksionale siç i ka hije një shteti anëtar të NATO-s që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Niveli i përhapur i korrupsionit dhe kalçifikimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhuna dhe shpërfillja e ligjit nga policia dhe forcat e sigurisë, siç janë vrasjet kriminale të 21 janarit, pengimi i hetimeve për këtë çështje, minimi i të drejtës së qytetarëve për të vendosur me votë për fatet e tyre, cenimi i lirisë së medias dhe gjendja dëshpëruese e sistemit të drejtësisë, të bëjnë të mendosh se ky raport nuk flet për një vend në mes të Europës, por për një qeveri që po mban peng aspiratën europiane të shqiptarëve.
Dje qytetarët shqiptarë panë se si Kryeministri vazhdon të bëjë sikur nuk e kupton çka kërkon opozita, duke u përpjekur në mënyrë bajate dhe infantile të luajë me kartën e komisionerëve socialistë, të cilët i ka dhunuar, poshtëruar, rrahur, lënë pa punë e nëpërkëmbur jo vetëm në rastin zgjedhjeve lokale të fundit, por gjithmonë kur i është dhënë mundësia. Po ky Kryeministër, i cili përbetohet se do t’i mbrojë komisionerët socialistë, është i njëjti person që, kur ishte President dhe sot kryeministër urdhëronte falangat e tij të rrihnin e masakronin po këta komisionerë socialistë.
Ju e keni kthyer politikën në një karikaturë obeze, të trashur nga pasuritë e paligjshme, rrëmbyer popullit dhe kjo e mishëruar në një kastë tipike, që, e sëmurë nga bulimia, ka infektuar tërë aparatin shtetëror. Një politikë që ka çuar në rrënimin e jetëve të mijëra shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë, një politikë vetëvrasëse, pasi është mbërthyer në ciklin e grumbullimit të pushtetit për të grumbulluar më shumë para. Më shumë para për të marrë më shumë pushtet e përsëri më shumë pushtet për të bërë më shumë para. Sot pjesë të rëndësishme të shtetit shqiptar po kalben nga brenda. Korrupsioni sistemik është i pranishëm në të gjitha nivelet. Një numër i madh zyrtarësh të lartë të kësaj Qeverie, përfshirë ministra e familjarë pushtetarësh, janë akuzuar për përfshirje në afera korruptive, gjë që e thotë haptazi dhe qartë Raporti i DASH

E pra, sot fatkeqësisht ka vetëm një aktor politik që refuzon të dëgjojë dhe pranojë këtë realitet. Ky është Sali Berisha, i cili, ashtu sic e vërtetoi edhe dje qartazi, në një show live para ambasadorëve, refuzon kokëfortësish ta cojë vendin drejt integrimit europian. Ai shkelmoi reformën zgjedhore edhe pse Raporti i Departamentit të Shtetit thotë qartë se në Shqipëri nën qeverisjen e Sali Berishës është minuar e drejta më themelore që gëzojnë qytetarët në një sistem demokratik. Pra, e drejta e votës. Duke identifikuar KQZ e Ristanit si një nga arsyet kyçe për këtë situatë.
Sali Berisha po vret shpresën për të ndërtuar një Shqipëri ku të mbisundojë shteti ligjor, ku qytetari ta ndiejë veten të lirë e të përfaqësuar denjësisht. Këtë e konstaton Raporti i DASH;
Sali Berisha vazhdon të bëjë sikur nuk e kupton çka kërkon opozita, duke u përpjekur në mënyrë bajate dhe infantile të luajë me kartën e ligjshmërisë;
Sali Berisha dhe kjo maxhorancë vazhdon si zakonisht një lojë koti, jo produktive;
Raporti i DASH na tregon se SHBA, por dhe Europa, po ndjekin me trishtim faktin qe Qeveria nuk e ka kuptuar mesazhin e qartë të tyre ‘Ne ju vëzhgojmë! Ne jemi me popullin!’
Sali Berisha e kjo maxhorancë në vend të impenjimit dhe angazhimit serioz për reflektim e veprim, po ndjek luftën e vjetër e përbaltjes së kundërshtarit dhe nuk po ka një zotim serioz drejt rrugës Europiane, me vepra jo me fjalë. Dhe SHBA e Evropa thonë ‘Ne po ju vëzhgojmë, asgjë nuk na shpëton. Ne jemi me popullin’.
Raporti i DASH dhe fjala e Sekretares Klinton bëjnë përgjegjës Sali Berishën për faktin që korrupsioni mbetet një problem shumë serioz, që politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese vijon të kërcënojë pavarësinë, besueshmërinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë, që zyrtarët e policisë vendosin lidhjet kriminale dhe politike mbi sundimin e ligjit.
Raporti i DASH fajëson politikat nepotiste të Sali Berishës për mungesën e eficencës së strukturave te rendit për shkak se mungon vullneti politik për t’i shërbyer popullit. Kjo qeveri konsideron policinë si një force represive e jo si një shërbim që i ofrohet qytetarit. Në sytë e opinionit publik, policët po shihen si të fortët e qeverisë të vënë në lëvizje për të mbrojtur interest e klaneve dhe të Familjes. Një polici ku lidhjet politike dhe ato kriminale, sipas raportit të DASH, ndikojnë direkt në zbatimin e ligjit. Rekomandimet për të pasur një polici që bazon veprimtarinë e saj mbi respektimin e të drejtave të njeriut, me një sens lirie operacionale të drejtuar nga një kod i qartë veprimi, i pavarur nga ndërhyrjet politike, gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhër.
Dhe padyshim që është po Sali Berisha arsyeja përse Shqipëria merr një notë jo kaluese kur vjen puna tek liria e shprehjes dhe e medias, si pasojë e shantazheve, kërcënimeve, dhunës mafioze të ushtruar ndaj gazetarëve veçanërisht gjatë dhe pas protestës së 21 janarit dhe mos hetimin e gjykimin e individëve që kanë ushtruar dhunë e presion ndaj tyre.
Raporti i DASH dhe sekretarja e Shtetit Klinton e kanë bërë të qartë: Qeverisë i thonë ‘Ne nuk na shpëton asgjë’. Popullin e garantojnë ‘ne jemi me Ju’. E po të kesh për aleat kryedemokracinë botërore, fundi i manipulatorëve është i shkruar.

KOMENTE