Nën kujdesin e veçantë të Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi u zhvillua sot në mjediset e “Pallatit të Brigadave” një veprimtari kulturore dhe humanitare për nder të “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve” si dhe “Ditës Kombëtarë të Jetimëve Shqiptarë”, në prani të Ambasadorëve të Hollandës, Danimarkës, Polonisë, Serbisë, Maqedonisë, Kinës, Egjiptit, drejtuesve të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë si dhe të përfaqësuesve të bashkësive fetare e të shoqatave dhe organizmave të shoqërisë civile në vendin tonë, fëmijë jetimë nga shkolla të ndryshme të vendit, mësues, personalitete të artit, kulturës, etj.
Ceremonia zyrtare u çel nga Kreu i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, i cili, shprehu “falënderimet më të përzemërta për përkrahjen e vazhdueshme institucionale dhe personale të Kreut të Shtetit, për sensibilizimin e mbarë shoqërisë shqiptarë për përkushtim më të madh ndaj nevojave jetike të komunitetit të jetimëve shqiptarë”.
Në respekt të Festës së sotme të Fëmijëve si dhe të Ditës Kombëtarë të Jetimëve Shqiptarë, njëra prej nxënësve shembullore, Eni Zylyftari, përshëndeti në emër të të gjithë fëmijëve jetimë, duke bërë njëkohësisht apel për më shumë përkujdesje edhe nga Parlamenti Evropian për jetimët në Shqipëri e në Kosovë. Ndërsa një bashkëmoshatare e saj, Arba Ibraj, lexoi propozimin zyrtar që jetimët e Shqipërisë dhe Kosovës ia drejtojnë organizatës më të madhe në botë që lufton për barazinë sociale, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në veçanti Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-mun duke parashtruar kërkesën që data 20 Maj të shpallet “Dita Botërore e Fëmijëve Jetimë”.