Kryeministri Berisha: Ju garantoj se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e tregut shqiptar, se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet Leva e Arkimedit, për të ecur me shpejtësinë më të madh në synimin tonë të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale.
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit Sasaj, në komunën Lukovë te rrethit të Sarandës. Ky projekt u realizua me një investim prej 8.5 milionë Euro nga shoqëria koncesionare “Energo-SAS” shpk, si dhe me mbështetjen financiare të Raiffeisen Bank.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço, deputetë të kësaj zone, drejtues dhe përfaqësues të shoqërisë ndërtuese, aksionerë të kësaj vepre, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Hidrocentrali Sasaj shfrytëzon ujërat e burimeve të Tatzatit dhe të lumit Kalasës dhe është një vepër hidrike e realizuar në zbatim të programit të qeverisë shqiptare, për shfrytëzimin e rezervave hidroenergjetike të vendit, me një impakt pozitiv, të drejtpërdrejtë, veçanërisht në zonën e Bregdetit. Hidrocentrali Sasaj është ndërtuar me koncesion, sipas Marrëveshjes Koncesionare midis shoqërisë “Wonder” sha dhe qeverise shqiptare. Vepra është projektuar nga specialistë të huaj dhe shqiptarë.
Hidrocentrali Sasaj ka një fuqi të instaluar prej 8.6 MW, e cila realizohet nëpërmjet dy agregateve Pelton vertikal. Prodhimi mesatar vjetor i energjisë, parashikohet 35 milion kWh. Hidrocentrali është i lidhur me sistemin e transmetimit nëpërmjet Linjës 35 Kv, Sasaj-Sarandë.
Impaktet e këtij hidrocentrali janë pozitive veçanërisht në Zonën e Bregdetit:
Përmirëson në mënyrë rrënjësore, në sasi dhe cilësi, furnizimin me energji elektrike të aksit bregdetar turistik jugor.
Krijoi mundësinë e punësimit për mbi 130 punonjës gjatë ndërtimit dhe aktualisht punojnë 28 të tjerë për menaxhimin e HEC-it.
Respekton standardet evropiane mjedisore dhe kërkesat turistike të zonës, duke u integruar me masivet e bregdetit, në mënyrë që të ruajë këto vlera turistike.