Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në prani të dy delegacioneve zyrtare përkatëse.
Të dy drejtuesit e lartë shtetërorë shprehën kënaqësinë e veçantë të takimit sërish brenda një kohe tepër të shkurtër, duke vlerësuar me këtë rast marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, miqësinë dhe fqinjësinë e mirë.
Në bisedën e tyre të përzemërt, Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas Ivanov diskutuan për çështje të rëndësishme e me interes të ndërsjellë, në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shprehur dëshirën dhe vullnetin për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike, e veçanërisht në fushën kulturore-artistike.
Në këtë drejtim, të dy Presidentët vlerësuan takimin e Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore të organizuar nga UNESCO, si një iniciativë e rëndësishme që nxit më tej marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona dhe evidenton vlerat e traditave historike e kulturore të popujve tanë.
Edhe në këtë takim, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si në element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas, Presidenti Topi nënvizoi se Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të angazhohen maksimalisht për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian. Në këtë aspekt, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se: “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një përparësi e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë duke mirëpritur anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.
Nga ana e tij, Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin Topi, për rolin konstruktiv dhe moderues në mjaft procese të rëndësishme integruese të Shqipërisë, vuri në dukje se bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes Krerëve të Shteteve të Ballkanit e më gjerë, do të ndikojë pa diskutim në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane, por dhe të mbarë rajonit.