English

Berisha takon Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, zonjën Dunja Mijatovic

Kryeministri Berisha priti sot në takim Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, zonjën Dunja Mijatovic. Ajo shoqërohej në takim nga Ambasadori i Prezencës së OSBE në vendin tonë Eugen Volfarth.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zonjës Mijatovic si dhe i shprehu asaj kënaqësinë për këtë takim. Kryeministri duke e cilësuar median si një nga shtyllat kryesore të demokracisë së një vendi theksoi se për të dhe qeverinë e drejtuar prej tij zgjerimi i lirisë së medias është një prioritet kryesor.

Ai nënvizoi faktin se Shqipëria në 20 vite ka bërë hapa të jashtëzakonshme në drejtim të lirisë së medias. Kryeministri theksoi se sot në Shqipëri nuk ekziston më censura ndërkohë që sektori i medias ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm qoftë në aspektin sasior edhe në atë cilësor. Kryeministri vlerësoi rolin kritik të medias ndaj punës së qeverisë dhe e cilësoi atë si një element themelor për ecjen përpara. Në këtë kuadër media ka luajtur një rol të madh në luftën kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjerë negativë duke ndikuar në rritjen e transparencës, u shpreh kryeministri.

Kryeministri theksoi që në zbatim të një premtimi elektoral të vitit 2005 është e ndaluar që zyrtarët e administratës të bëjnë kallëzime penale ndaj medias dhe rikonfirmoi angazhimin e tij në ruajtjen e këtij standarti. Në këtë kuadër kryeministri e informoi zonjën Mijatovic për masat e ndërmarra nga qeveria, në konsensus me opozitën, për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes dhe rregullimin e tyre në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kryeministri shprehu gatishmërinë për depenalizimin e plotë të këtyre veprave në Kodon Penal.

Zonja Mijatovic e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vendimin e kryeministrit për ndalimin e kallëzimeve nga zyrtarët e administratës ndaj gazetarëve dhe vlerësoi si një pasojë të rëndësishme të kësaj mase edhe rënien e dukshme të kallëzimeve edhe nga qytetarët e thjeshtë. Ajo gjithashtu vlerësoi masat e ndërmarra nëpërmjet amendimeve të fundit të Kodit Penal për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes si hapa shumë të rëndësishëm.

Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me organizatat e medias në vend dhe me OSBE-në për forcimin dhe konsolidimin e lirisë së medias, si dhe theksoi rëndësinë e forcimit të profesionalizmit dhe të pavarësisë së brendshme të saj si kushte themelore në këtë kuadër.

Në takim u diskutua edhe për nevojën për reformim të medias publike si dhe shtrirjen e dixhitalizimit në përputhje me direktivat përkatëse.

KOMENTE