English

Berisha: Projekti për aktet dixhitale bën administratën shqiptare një nga më transparente të rajonit dhe të planetit

Ky projekt do të shtrihet në të gjithë veprimtarinë e administratës shqiptare qendrore dhe lokale për të lehtësuar maksimalisht komunikimin e qytetareve shqiptare për tu bërë atyre të mundur të kontrollojnë në çdo qelizë administratën e tyre publike dhe funksionimin e saj në përputhje me ligjet e vendit dhe afatet e përcaktuara në këto ligje.

Kryeministri Berisha informoi sot se pas projektit të kabinetit dixhital, AKSH ka realizuar fazën tjetër shumë të rëndësishme të e-kabinetit që është aktet dixhitale. Kryeministri shpjegoi se ky proces shtrin praktiken dixhitale në 1300 punonjës të administratës, duke filluar nga specialisti i thjeshte ku nis akti, deri tek Këshilli i Ministrave ku merr miratimin përfundimtar.

Duke vlerësuar se projekti përbën një arritje të madhe serioze drejt shndërrimit të praktikave shkresore të administratës, në praktika tërësisht elektronike dhe transparente, të cilat bëjnë të mundur një transparencë të plotë të akteve, projektligjeve që miraton qeveria, Kryeministri bëri të ditur se ky projekt do të shtrihet në të gjithë të gjithë veprimtarinë e administratës shqiptare qendrore dhe lokale për të lehtësuar maksimalisht komunikimin e qytetareve shqiptare me administratën e tyre.

Kryeministri vlerësoi se projekti do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për biznesin shqiptar, i cili në çdo kohë do të mund të ndjeke rrugën e dokumenteve që dorëzon, ti kontrolloje ato, të shohë se si ecin ritmet dhe afatet e shqyrtimi të tyre. “Ky projekt do ta bëjë administratën shqiptare një nga administratat më transparente të rajonit dhe të planetit dhe në mënyrë absolute do të ndikojë fuqishëm në përgjegjshmërinë e saj në raport me qytetarin, në raport me biznesmenin.” konkludoi Kryeministri.

Duke falënderuar të gjithë ata punonjës që po shndërrojnë në realitet çdo ditë e më shumë ëndrrën e bukur të Shqipërisë dixhitale, Kryeministri u shpreh se janë 125 projekte dixhitale me të cilat synohet që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të jetë një Shqipëri transparente, e cila shfrytëzon teknologjinë më të lartë dhe praktikat më të shpejta në shërbim të qytetarëve të saj.

Lidhur me këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:

Në mbledhjen e sotme ka një seri vendimesh të cilat synojnë thellimin e reformave në fushën e regjistrimit të pasurive, synojnë thellimin e reformave në drejtorinë e rrugëve dhe në një seri fushash të tjera.

Por sot dua ti informoj shqiptarët dhe ju se për herë të parë inaugurohet projekti aktet dixhitale. Pas projektit të kabinetit dixhital, AKSH ka realizuar fazën tjetër shumë të rëndësishme të e- kabinetit që është aktet dixhitale. Ky proces shtrin dixhitalizmin ose praktiken dixhitale në 1300 punonjës të administratës, duke filluar nga specialisti i thjeshte ku nis akti deri tek Këshilli i Ministrave ku merr miratimin përfundimtar.

Kjo përbën një arritje të madhe serioze drejt shndërrimit të praktikave shkresore të administratës, në praktika tërësisht elektronike, praktika më transparente, të cilat bëjnë të mundur një transparencë të plotë të akteve, projektligjeve që miraton qeveria; praktika të cilat bëjnë të mundur një pjesëmarrje shumë më të gjerë; praktika që bëjnë të mundur edhe evidentimin e atyre që flenë me sy hapur mbi aktet, duke gjetur se sa vonohen, ku vonohen dhe pse vonohen aktet. Dora-dorës ky projekt do të shtrihet në të gjithë veprimtarinë e administratës shqiptare qendrore dhe lokale për të lehtësuar maksimalisht komunikimin e qytetareve shqiptare me administratën e tyre, për tu bërë atyre të mundur të identifikojnë, të gjejnë se ku ndodhet dokumenti apo kërkesa e tyre, për të bërë atyre të mundur për të kontrolluar në çdo qelizë administratën e tij publike, funksionimin e saj në përputhje me ligjet e vendit dhe afatet e përcaktuara në këto ligje, reagimin e saj në përputhje me ligjet dhe afatet e përcaktuara në këto ligje.

Ky projekt do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për biznesin shqiptar, i cili në çdo kohë do të mund të ndjeke rrugën e dokumenteve që dorëzon, ti kontrolloje ato, të shohë se si ecin të shohë ritmet, afatet e shqyrtimi të tyre, pra ky projekt do ta bëjë administratën shqiptare një nga administrata më transparente të rajonit dhe të planetit dhe në mënyrë absolute do të ndikojë fuqishëm në përgjegjshmërinë e saj në raport me qytetarin, në raport me biznesmenin.

Ju siç e shihni ëndrra e madhe e Shqipërisë dixhitale po bëhet gjithnjë e më shumë çdo ditë realitet. Unë e kuptoj se ju menjëherë sapo thashë ëndërr ju shkoi mendja tek presidenti atë mund ta realizojë vetëm një njeri sepse aq e kemi postin.

Të nderuar gazetarë, janë 125 projekte dixhitale me të cilën ne synojmë që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të jetë një Shqipëri transparente, e cila shfrytëzon teknologjinë m ë të lartë, praktikat më të shpejta dhe kjo përbën një arritje të madhe, ndaj dhe unë dua të falënderoi përzemërsisht të gjithë ata punonjës që shndërruan në realitet dhe po shndërrojnë në realitet të prekshëm çdo ditë e më shumë ëndrrën e bukur të Shqipërisë dixhitale.

KOMENTE