English

Berisha takon Stefano Sanninon, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian

Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian zotin Stefano Sannino. Zoti Sannino shoqërohej në takim nga Kreu i Delegacionit të BE-së Ambasadori Ettore Sequi.

Pasi i uroi mirëseardhjen zotit Sannino Kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e Komisionit dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në ndihmën që i jep Shqipërisë për cuarjen përpara të reformave të nevojshme për integrimin evropian. Në përgjigje të interesit të zotit Sannino për vazhdimësinë e këtyre reformave, kryeministri Berisha e siguroi atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit.

Në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha theksoi, se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Ai shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik.

KOMENTE