English

Topi: Funksioni i Gjykatës, nuk mund të përvetësohet nga politika

Në Konferencën me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se funksioni i kësaj Gjykate, nuk mund të përvetësohet nga politika.

Fjala e plotë e Presidentit

“E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuar Zoti Kryeministër,
I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
I nderuar Zoti Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,
I nderuar Zoti President i Komisionit të Venecias,
I nderuar Zoti Drejtor i Fondacionit “Hanns Seidel”,
Të nderuar anëtarë të Gjykatave Kushtetuese,
Të nderuar ministra, deputetë,
Të nderuar të pranishëm!

Kam kënaqësinë e veçantë të marr pjesë sot në Konferencën tuaj, në këtë forum shumë dinjitar diskutimi profesional dhe shkencor. Kjo është një mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve mbi zhvillimet e një parimi thelbësor për mirëfunksionimin e konstitucionalizmit, atë të ndarjes së pushteteve, i parë nën këndvështrimin e konsolidimit të rolit të drejtësisë kushtetuese, e cila në mënyrë përfundimtare dhe me fuqi detyruese të përgjithshme bën interpretimin e parimeve të tilla të rëndësishme kushtetuese.

Konferenca e sotme vjen në një datë të rëndësishme të historisë së Gjykatës sonë Kushtetuese: në 20-vjetorin e saj. Krijimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi si një nevojë dhe kërkesë e zhvillimeve të reja demokratike në Shqipëri dhe me një mision të rëndësishëm, atë të garantimit dhe kontrollit të zbatimit të Kushtetutës, duke iu bashkuar në këtë mënyrë demokracive të reja ish-komuniste. Për një vend në të cilin për më shumë se gjysmë shekulli u shkelën sistematikisht të drejtat universale të njeriut dhe ku kushtetuta ishte garantuese e sistemit të dhunshëm njëpartiak, - krijimi i kësaj Gjykate dhe aktiviteti i saj plotësuan një boshllëk të madh dhe hapën një kapitull të ri historik për sistemin kushtetues dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri.

Gjatë këtyre viteve, Gjykata Kushtetuese është ndeshur me një intensitet të lartë gjykimesh, duke u pjekur dhe afirmuar tashmë si një prej institucioneve kushtetuese më të qëndrueshme dhe funksionale në sistemin tonë qeverisës. Që nga dita e krijimit e deri edhe në ditët më të fundit, asaj i është dashur të marrë vendime shumë të rëndësishme në lidhje me funksionimin normal të shtetit të së drejtës, vendime për të garantuar liritë e të drejtat e individit, vendime në lidhje me ndarjen dhe funksionimin e pushteteve, vendime në lidhje me konflikte mes pushteteve apo institucioneve kushtetuese. Vendimet dhe aktiviteti i saj kanë njohur vlerësime e kritika, - një e drejtë gjykimi në demokraci, gjithsesi unë besoj se ajo, pavarësisht mungesës së traditës, problemeve që lidhen me konsolidimin, presioneve të politikës, të pushteteve të tjera apo grupeve të interesit, në tërësinë e saj ia ka dalë që me përkushtim dhe profesionalizm, - ta shndërrojë institucionin në garant të frymës dhe parimeve demokratike kushtetuese.

Përtej këtij bilanci të aktivitetit 20-vjeçar, momente të tilla janë rast i mirë për të hedhur vështrimin në sfidat e saj të sotme dhe të së ardhmes, për rolin e saj në sistemin kushtetues dhe qeverisës, si dhe për nevojën ende të madhe të shoqërisë në garantimin real dhe paekuivok të parimeve dhe të drejtave qytetare kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e një vendi është institucioni më i rëndësishëm për garantimin dhe kontrollin e zbatimit të Kushtetutës. Ai është institucioni me autoritetin për interpretimin përfundimtar dhe garantimin e zbatimit të Kushtetutës, ashtu siç edhe të gjitha institucionet, të gjithë shtetarët dhe qytetarët janë të detyruar të zbatojnë Kushtetutën.

Ky funksion dhe mision nuk mund të cënohet dhe as të përvetësohet nga pushtete apo institucione politike, të cilat megjithë rëndësinë e madhe në sistemin politik e qeverisës, nuk kanë dhe nuk mund të kenë atributet për të vendosur në mënyrë përfundimtare dhe me fuqi, atribute detyruese të përgjithshme interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, pra për të qenë garant i saj. Këto parime nuk përjashtojnë, përkundrazi apelojnë dhe kërkojnë që çdo institucion dhe individ njëherësh të jetë garant të Kushtetutës për kompetencat dhe detyrimet që i janë ngarkuar prej saj.

Gjykatat Kushtetuese u krijuan si përgjigje për nevojën e një mekanizmi për të mbrojtur supremacinë e Kushtetutës, për të ruajtur parimet e saj, për të ruajtur realitetet e saj. Ruajtja e kësaj supremacie nëpërmjet një institucioni të pavarur, jashtë vullneteve të mjedisit politik dhe kontrollues të këtyre vullneteve të shprehura në ligje në kundërshtim me Kushtetutën, është padyshim një nga arritjet e mëdha të drejtësisë dhe konstitucionalizmit. Në këto arritje ishte e natyrshme që ato u përballën me sfida të shumta që lidheshin jo vetëm me skepticizmin politik ndaj këtyre institucioneve të reja, por edhe me sfidën profesionale të bërjes së një drejtësie tjetër, asaj që konsiderohet drejtësia kushtetuese.

Zhvillimi i mendimit politik, zhvillimi i koncepteve demokratike të qeverisjes, zhvillimi i një mentaliteti të ri qeverisës, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ruajtja e koncepteve të qarta të drejtësisë kushtetuese, ka bërë që Gjykatat Kushtetuese të kenë një rol jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të respektuar në setin e vlerave dhe institucioneve të një shteti demokratik.

Në mënyrë të natyrshme, Gjykatat Kushtetuese njohin dhe përballen akoma me vështirësi, pasi e tillë është natyra e punës së Gjykatave Kushtetuese. Konceptet demokratike të qeverisjes janë koncepte dinamike pasi edhe shoqëritë janë dinamike, në zhvillim të përditshëm dhe në njohje të dimensioneve të reja. Debatet që shoqërojnë këto zhvillime shpeshherë vështirësojnë punën e Gjykatave Kushtetuese, pasi detyra e saj është të garantojë që këto zhvillime të orientohen nga shtyllat kushtetuese të qeverisjes. Përpjekje të tilla besoj se takon, gjatë punës së përditshme, çdo gjykatë kushtetuese, jo vetëm ajo në Shqipëri, por edhe në sisteme të tjera politike.

Në një situatë apo shoqëri ku politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë kushtetues të qeverisjes së mirë, janë gjykatat kushtetuese ato që do të garantojnë ecjen e qeverisjes në trasenë e Kushtetutës, janë Gjykatat Kushtetuese ato që ruajnë të pastra parimet e ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve. Shpeshherë këto parime janë delikate dhe nuk gjenden në formë të shkruar në Kushtetutë. Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, gjetja e balancës së padukshme të ndarjes së pushteteve sipas mendimit të etërve të ndarjes së pushteteve: Aristotelit, Lokut apo Monteskjesë, gjetja e frymës së drejtësisë kushtetuese sipas parimeve të Hans Kelzenit, Karl Shmitit apo Ajzenmanit, është padyshim një sfidë e vështirë, por nëse është e suksesshme, është një shërbim shumë i madh për demokracinë kushtetuese.

Roli i Gjykatës Kushtetuese është padyshim, tejet i rëndësishëm në çdo sferë të veprimtarisë së saj, por vendimet që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës apo ndarjen e pushteteve janë ato që marrin një rëndësi të veçantë, pasi lidhen me vetë suksesin e modelit të shtetit që duam të ndërtojmë apo konsolidojmë. Të tilla vendime që kanë ndikim në sistemin politik dhe institucional të një vendi kërkojnë pavarësi mendimi dhe integritet profesional, kërkojnë forcë argumenti dhe arsyetim mbi presionet politike të momentit, kërkojnë këmbëngulje dhe konsistencë në respektimin e parimeve të organizimit të shtetit demokratik. Në procesin e marrjes së vendimeve, gjyqtarët kushtetues duhet të mos shkëputen nga parimet, mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës dhe kushtetutshmëria, të evitojnë vullnetet apo subjektivizmat e lidhura me situata të caktuara, duke e parë çështjen e shtruar për zgjidhje në tërësinë e vet, parimisht dhe me perspektivën e zgjidhjeve afatgjata. Vendime të tilla të rëndësishme duhet t’i rezistojnë mandateve politike dhe të sigurojnë jetëgjatësinë e parimeve themelore të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Vetëm kështu, drejtësia kushtetuese do të kryejë funksionin për të cilin është krijuar, si një institucion me një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe kontribut të qenësishëm në ruajtjen e demokracisë kushtetuese.

Por, drejtësia kushtetuese nuk do ishte e plotë dhe nuk do të ishte efikase vendimet e saj, nëse ato nuk do të gjenin zbatim. Drejtësia, në përgjithësi, është një autoritet i pavarur dhe i baraslarguar nga palët. Kushtetutat i krijojnë garanci pavarësie gjykatave jo për t’u dhënë atyre një autoritet të pamerituar apo një koracë mbrojtjeje për abuzimet eventuale. Por, pavarësia që gjykatat përftojnë në ushtrimin e kompetencave të tyre është një garanci që u ofrohet vetë qytetarëve, është një mbrojtje nga arbitrariteti i pushtetit. Pavarësia e gjykatave është një garanci edhe për shëndetin e vetë shtetit, pasi respektimi i normave ligjore dhe i pushtetit demokratik, në mënyrë qytetare dhe kushtetuese, pavarësisht nga rotacionet politike.

Në këtë frymë, edhe zbatimi i vendimeve të Gjykatave Kushtetuese përbën një nga elementët më të rëndësishëm të mirëfunksionimit të drejtësisë kushtetuese. Nëse shoqëria, individët dhe shteti kërkojnë që gjyqtarët kushtetues të jenë të lirë në vendimmarrjen e tyre duke garantuar kështu paanësinë në dhënien e drejtësisë kushtetuese, detyrimi i shoqërisë dhe i shtetit është që të zbatojë interpretimet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’u konformohen të gjitha bindjeve në shoqëri, por detyrimi i shoqërisë dhe i shtetit është të respektojë institucionet që kanë autoritetin e dhënë nga Kushtetuta për interpretimin përfundimtar të saj. Ashtu siç është shprehur edhe në një nga botimet mbi drejtësinë kushtetuese “Vendimet e gjykatës duhet të zbatohen jo thjesht se shteti denjon ta bëjë një gjë të tillë, por sepse një shoqëri e qytetëruar mund të jetojë vetëm nëpërmjet arsyes dhe kuptimit të botës dhe të vetvetes”.

Së fundi, edhe njëherë, unë shpreh falënderimin për ftesën, mundësinë për të folur në këtë Konferencë! Dhe besoj që i bashkohem edhe urimeve që vijnë ngado, qoftë nga institucionet, qoftë nga individët politikë, por edhe nga qytetarët e thjeshtë për 20-vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, këtij institucioni dinjitoz, garantit të Kushtetutës, me një premisë të qartë që në rrjetin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, Shqipëria të ketë shansin që në fund të këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Edhe njëherë, urime!”

KOMENTE