Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, z. Rafael Tormo Pérez.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-spanjolle dhe nënvizuan nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh veçanërisht, në fushën ekonomiko-tregtare, të kulturës e turizmit.
Më tej, Ministri Haxhinasto shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në proceset e integrimit në NATO dhe BE.
Ambasadori spanjoll siguroi Ministrin Haxhinasto për vijimësinë e mbështetjes spanjolle për integrimin evropian, si dhe vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të angazhimeve të përbashkëta në organizatat ndërkombëtare, si OKB, etj.