Duke ju uruar edhe për tunelin e Kërrabës, dua të theksoj se përpjekjet për të gjetur një konsensus sa më të gjerë, edhe me opozitën, nuk do të reshtin por do të vazhdojnë. Në këtë drejtim dua të nënvizoj seriozitetin dhe vendosmërinë që mazhoranca ka pasur, që në nisjen e këtij procesi, për të ecur drejt konsensusit me opozitën. Edhe kandidatura e propozuar nga mazhoranca, ajo e z. Zaganjori, kishte vetëm këtë qëllim, por edhe tërheqja e tij, e djeshme, pas konsumimit të raundit të tretë, ishte një tregues i seriozitetit të tij, si kandidat, për të qenë një president i të gjithëve dhe për të pasur konsensusin e opozitës, të cilin nuk e kërkuam vetëm ne, me emrin e tij, por edhe ai vetë e kërkoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, tek kryetari i Partisë Socialiste. Natyrisht që përpjekjet për konsensus, të cilat kanë qenë për gati 2 javë, tashmë janë të limituara për shkak të kohës, por përpjekjet tona do të jenë shumë serioze, gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme.
Unë dua të theksoj, si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nevojën dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve për të arritur konsensusin, për të rritur përgjegjshmërinë dhe përqendrimin e të gjithë aktorëve, për t’i dhënë fund kapriçiove dhe për të fituar një moment të dytë, pas një momenti shumë të rëndësishëm që kemi lenë pas ku kemi djegur tre raunde dhe tre mundësi për konsensus. Ndaj, theksoj rëndësinë edhe të një takimi tjetër të nivelit më të lartë, të z. Berisha dhe të z. Rama, një format që ata do ta gjykojnë të arsyeshëm dhe të pranueshëm, deri ditën e nesërme, në mënyrë që gjatë këtyre 48 orëve të arrijmë një konsensus, cili natyrisht që nuk do të jetë i lehtë por që nuk është i pamundur. Në këtë drejtim, ne, ditën e hënë, ta përfundojmë çështjen e Presidentit të ri, e cila, natyrisht, që ka sjellë zhvillime nga më të ndryshmet, por që pa asnjë diskutim pa qenë dhe do të jetë rezultat i një procesi tepër publik, transparent, të debatueshëm, të negociueshëm dhe shpresojmë që edhe produkti përfundimtar do të jetë një konsensus shumë i gjerë.
A ka emra konkretë?
Mazhoranca, pasi diskutoi për shumë emra, u përqendrua tek një emër, me bindje të plotë që kishte të gjitha cilësitë dhe tiparet për të fituar konsensusin e opozitës. Pra, të ish mazhorancës së dikurshme që e kishte votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Tani, natyrisht që të gjithë jemi në një moment reflektimi. Pa dyshim që emra ka, por këtu nuk kam parasysh emra konkretë, dhe padyshim që vendi do të ketë një president apo do të ketë një zgjidhje për këtë çështje shumë shpejt.
Z. Meta, do t’i qëndroni staturës jo politike për presidentin e ardhshëm apo do të ketë emra politike siç mund të jetë emri i z. Nano apo i znj. Topalli?
Nuk janë përjashtuar emrat politikë për arsye të paragjykimeve ndaj politikanë të caktuar por është bërë një përpjekje për emra dhe profile të cilat mund të gjenin më lehtë konsensusin, pasi e theksoj që Shqipëria ka politikanë dhe politikane që mund të realizojnë shumë mirë detyrën e Presidentit të Republikës por konflikti politik që kemi pasur, sidomos gjatë viteve të fundit, e ka bërë të vështirë gjetjen e konsensusit për emra politikë. Nëse kjo gjë do të ishte e mundur, përse jo? Megjithatë do të tentohet, ajo që është më e rëndësishmja, për emra sa më konsensualë.
A keni parashikuar ndonjë takim me z. Rama gjatë ditës së sotme apo të nesërme?
Unë besoj se gjatë ditës së sotme apo gjatë mbrëmjes së sotme ne do të bëjmë konsultime si drejtues të partive të mazhorancës dhe shpresoj që, gjatë ditës së nesërme, të jetë e mundur që të realizohet edhe një takim i nivelit më të lartë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhjeje konsensuale për ditën e hënë.
Cili është opinioni i LSI-së për emrin e z. Nano?
LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër sepse nuk paragjykon askënd. Lëvizja Socialiste për Integrim është investuar që në fillim të këtij procesi dhe do të investohet deri në fund për një proces kushtetues dhe për një president sa më konsensual.
LSI do të ketë ndonjë emër konkret?
Për LSI-në, qëllimi kryesor është që ky proces të kurorëzohet në mënyrë kushtetuese dhe me një emër sa më konsensual që do të garantojë, jo vetëm një komunikim sa më normal midis mazhorancës dhe pozitës por që do të përmbushë edhe të gjithë funksionet e tjera të cilat janë të lidhura me postin e presidentit.
Do të ketë një emër të mazhorancës që do të konsultohet më pas me opozitën apo do të ketë një tavolinë të të gjitha partive parlamentare?
Këto janë çështje teknike. Vullneti nga ana e mazhorancës ka qenë maksimal. Kandidatura që ne kishim përzgjedhur kishte vlera maksimale dhe njëkohësisht edhe tërheqja e tij pas raundit të tretë tregoi qartë që ishte një kandidat, jo vetëm tepër i përgjegjshëm por njëkohësisht i kërkuar për tu angazhuar nga ana jonë në këtë detyrë si një kandidat i paqortueshëm nga ana e opozitës e cila dikur e kishte votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese apo jo?