English

Limbo, çfarë është dhe ç'përfaqson ai për situatën tonë



Në vitin 1613 Shekspiri flet tek Henri VIII për limbon, një vend as në Ferr po as në Parajsë jo e jo, që më vonë mori kuptimin metaforik të burgut, izolimit, inkapsulimit, por që s’është asnjëra nga të treja e mund të shpjegohet përmes të trejave bashkë njëkohësisht. Limbo është vendi që shkencëtarët e kompjuterave i vënë hapësirës së padukshme të materialeve të fshira sysh, por jo ende të zhdukura fizikisht nga magazina e kujtesës – si ato në Recycle Bin-in e Windows. Në limbo rrezikon të hyjë Shqipëria vitin e ardhshëm e kushedi për sa vite akoma, nëse e humb shansin për të marrë statusin e kandidatit për Bashkimin Europian këtë vjeshtë.
Ja pse unë jam tejet i shqetësuar dhe tërësisht i përkushtuar për të realizuar çka na kërkohet hapur, shkoqur, pa asnjë vend për ekuivok e humbje kohe nga Bashkimi Europian, po edhe nga Shtetet e Bashkuara që mbështesin fuqimisht agjendën e integrimit të Shqipërisë në Europë.

Katër pika janë në tryezën e politikës shqiptare. Janë ato katër pikat që ne, socialistët, vumë në tryezën e kuazidialogut me qeverinë . Ato katër pikat që kryeministri rendi t’i quante ultimatume, kushte, tentativë bllokuese. Njëra është zgjedhja e Presidentit me konsensus. Tjetra Reforma Zgjedhore. Tjetra Reforma Parlamentare. Tjetra akoma heqja e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të zgjedhur të këtij vendi. Janë veç e janë gjithashtu bashkë, që të katërta, s’janë si një menu ku mund të zgjedhësh nëse preferon ngjalë, byrek me spinaq apo thjesht një supë të lehtë. E për më tepër kohë për të humbur s’ka, duhen marrë të gjitha, një e nga një, dhe duhen zgjidhur pa ngurrim, që të gjitha bashkë, brenda këtyre pak javëve. S’ka sekret këtu që ia kam thënë në sy kryeministrit, siç e kam thënë edhe publikisht dhe do ta përsëris sa të mundem, pavarësisht se kush duhet ta dëgjojë mund të mos ketë veshë për ta dëgjuar. Jam tejet i shqetësuar sepse Shqipëria s’duhet të hyjë në limbo vitin e ardhshëm, në asnjë mënyrë jo.

E ja si mund të ndodhë dhe çfarë mund të ndodhë më tutje nëse do të ndodhë kështu siç po ndodh: Qeveria këmbëngul se Xhezair Zaganjori, kandidati i konsensusit brenda palëve në pushtet, është e vetmja ofertë e mundshme për konsensus që mund t’i bëhet opozitës. Opozita nga ana e saj s’mund të japë konsensus për Xhezair Zaganjorin, megjithë dëshirën e vullnetin e plotë për të bërë atë që i takon që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit në BE. Sepse kjo kandidaturë është e njëanshme, është e paraqitur krejt njëanshmërisht. Dhe për ne, është një kandidaturë me më shumë se një cen edhe në vetvete, pasi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm ka votuar rregullisht kundër ankimeve tona në atë gjykatë, po edhe qëndron në karrigen e gjykatësit kushtetues në shkelje flagrante të Kushtetutës. Pra, për të gjitha këto kandidati i konsensusit brenda palëve qeverisëse s’jep asnjë garanci që ta bëjë opozitën të shpresojë në një qëndrim asnjanës të tij si President i Republikës.

Shkojmë më tej me skenarin që po zhvillohet, duke e marrë të mirëqenë për momentin se qeveria nuk heq dorë nga kjo kandidaturë dhe, mes konsensusit të domosdoshëm për statusin e ri të Shqipërisë në BE dhe kandidatit të saj të njëanshëm, zgjedh të dytin. Opozita mbetet kësisoj në pamundësinë për të dhënë konsensus përballë një kandidature të vetme dhe të imponuar si e vetmja e mundshme nga qeveria. Xhezair Zaganjori zgjidhet me 71 vota (nëse edhe promotori i konsensusit mes palëve qeverisëse, Ilir Meta, harron parimin nga u nis në fillim dhe niset në fund nga shkelja e parimit – që ishte konsensusi mes qeverisë dhe opozitës). Qeveria “fiton” kështu një garë pa garë, krejt të kotë në funksion të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, dhe Shqipëria hyn në rrugën e humbjes së garës me vetveten drejt provimit të 12 tetorit.

S’ka dyshim se Familja Europiane, po as aleati ynë i madh SHBA, nuk do të vënë kujën nëse ndodh kështu. Por s’ka farë dyshimi po ashtu, se nuk do ta shënojnë si pikë të zgjidhur ashtu siç do të duhej këtë pikë kaq kyçe për të vlerësuar politikën shqiptare si e tërë në vigjiljen e provimit të madh. Pra ky do të jetë një minus i rëndë më shumë për verdiktin e 12 tetorit dhe një arsye thuajse e pakapërcyeshme për Familjen Europiane ku duam të hyjmë për të mos na e dhënë statusin. Na rroftë pastaj Presidenti i zgjedhur njëanshmërisht, nëse për shkak të moskonsensusit nuk marrim konsensusin e vendeve anëtare të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat!

Kështu si e ka trajtuar qeveria këto vite integrimin europian dhe për shkak se shqiptarët përveç heqjes së vizave, s’kanë parë ndonjë të mirë të prekshme të këtij procesi në realitetin e shtetit të tyre, shumëkush mendon krejt gabimisht se statusi është thjesht një çertifikatë. Por në të vërtetë statusi është një stad i ri, pa të cilin viti dhe vitet e ardhshme mund të kthehen në një mundim ende më të madh për Shqipërinë e për shqiptarët. Pse? Sepse Familja Europiane sot po përballet me sekëlldira të jashtëzakonshme dhe vitin e ardhshëm mund të mos jetë më as kjo që është dhe, padyshim, as kaq e gatshme sa ç’është sot për të na ndihmuar me të tëra mënyrat që ta kapërcejmë hendekun që na ndan prej saj.

Nëse Greqia nuk ia del dot dhe del nga zona e euros, një reaksion zinxhir mund ta fusë Europën e Bashkuar në vorbullën e një krize të brendshme ku e fundmja gjë për të cilën Brukseli do të mendonte, do të ishte afrimi më pranë i Shqipërisë problematike apo i të mbeturve të tjerë pa status. Dikush mund të thotë po edhe sikur ta marrim statusin këtë vit, përsëri Europa mund të jetë në të njëjtën vorbull dhe kësisoj asgjë nuk ndryshon për ne! Ah jo, tjetër një vend me statusin e kandidatit për anëtar i BE, dhe krejt tjetër një vend ngelës në vjeshtë tre herë me radhë i mbetur në limbo për shkak të vetvetes. E si njeriu që sipas të gjitha gjasave do të jetë në krye të qeverisë së këtij vendi në mesin e vitit të ardhshëm, unë nuk do të doja kurrë që opozita e sotme ta qeverisë nesër këtë vend të dërrmuar, ekonomikisht dhe institucionalisht, pa përkrahjen që do të na jepte të qenit kandidat për në BE për të kryer reformat drastike pa të cilat Shqipëria është e destinuar të zvarritet në gjunjë. Mbase Saliu e ka kuptuar që nuk ka më shanse reale për të qenë përsëri kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme e prandaj edhe nuk po dëgjon fare nga veshi perëndimor i pushtetit të vet të sotëm. Por mbase thjesht nuk ka sy për ta parë errësimin e plotë të perspektivës europiane dhe social-ekonomike të Shqipërisë vitin e ardhshëm, në rast se nuk do të ulet në tryezën e konsensusit për Presidentin e për tre pikat e tjera.

Sidoqoftë kryeministri i sotëm nuk mund të mos e dijë se në ç’derexhe është ekonomia jonë dhe nuk mund të mos e kuptojë me një mundim fare të vogël, se humbja e trenit drejt BE në 12 tetor do të krijojë për të e për qeverinë e tij, po edhe për vetë Shqipërinë, dimrin e një vetmie të madhe jashtë Europës, përballë problemeve social – ekonomike që mund të kthehen në një ortek të papërballueshëm me moton e vjetër të forcave tona. Ndërsa unë si kryeministri i nesërm nuk mund të mos bëj çdo gjë, deri në fund të mundësive jo të pakufishme të opozitës së sotme, për të penguar që ky parashikim i zymtë i diktuar nga një lexim aspak i vështirë i realitetit të Shqipërisë e të vetë Europës së sotme, të bëhet realiteti ynë i vitit 2013 e më tutje. Prandaj dua që medoemos të arrijmë konsensusin për Presidentin e për të tre pikat e tjera brenda qershorit dhe t’i drejtohemi njëzëri Brukselit, me detyrat e kryera të shtëpisë në dorë për të marrë provimin e tretë të vjeshtës për Shqipërinë.

Një Shqipëri me Europën më pranë ose një Shqipëri në limbo! Kjo është në fakt zgjedhja që kemi në dorë për të përcaktuar fatin e vendit tonë të përbashkët vitin e ardhshëm e në vijim. Unë e kam bërë zgjedhjen time me përgjegjësinë e liderit të opozitës që nuk uron qametin si rrugë për të marrë pushtetin. Uroj që kjo e deritanishmja të mos jetë zgjedhja përfundimtare e kryeministrit të sotëm, me idenë se pas ikjes së tij nga pushteti le të bëhet edhe qameti! Sot interesi kombëtar përputhet me realizimin e konsensusit. Ndërsa mosrealizimi i konsensusit është braktisja flagrante e vendit tonë në mëshirën e një fati që jashtë Europës s’ka asnjë gjasë t’i buzëqeshë Shqipërisë.

Editorial nga Edi Rama

KOMENTE