Aktivitetet përkujtuese me rastin e 134-vjetorit të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit shërbyen për të bashkuar udhëheqësit shqiptarë të të gjithë trevave, përfshi kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, homologun e tij shqiptar, Sali Berisha apo liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti.Në fjalimin e tij, ndërsa i uroi mirëseardhjen në Kosovë të gjithë të pranishmëve, kryeministri Thaçi vendosi theksin në rëndësinë historike që ka pasur Lidhja në historinë e Shqipërisë. "Kryengritjet ishin ato që karakterizuan këtë epokë.
Lidhja shërbeu për të krijuar vetëdije për gjuhën shqiptare dhe formoi ndërgjegjen kombëtare. Sot, 134 vjet më vonë, vetëm sa mund të nderojmë në këtë altar të atdheut emrat legjendarë të shqiptarisë, si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi e shumë të tjerë", deklaroi Thaçi.Në vazhdim të deklaratës, kryeministri i Kosovës çmoi se "pavarësia e Kosovës i dha kuptim lidhjes dhe përpjekjes qindra-vjeçare të popullit shqiptar. Kombi nuk ka qenë kurrë më i fortë se sa në këtë 5-vjetor të pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ndërhyrja e NATO-s në vend, korrigjoi një padrejtësi të madhe historike, prandaj edhe aspiratat tona të përbashkëta europiane janë të natyrshme".I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Berisha mori fjalën duke shprehur "mirënjohje të thellë ndaj Kosovës, mëmë e atyre burrave të mëdhenj të kombit, që dhanë jetën për idealin kombëtar".
"Prizreni është një vend i shenjtë për Shqipërinë, pasi është vendi ku u themelua ideali një komb, një qëndrim. Në orën e padrejtësive më të mëdha ndaj kombit tonë, në këtë vend, burrat më të ndritur të Shqipërisë u bashkuan dhe ngritën me fuqi e vendosmëri zërin kundër planeve djallëzore të kancelarive të mëdha perëndimore për zhdukjen nga harta një herë e përgjithmonë e Shqipërisë. Lidhja e Prizrenit, është pa dyshim ngjarja më madhore që ka ndodhur ndonjëherë që prej luftrave të Skëndërbeut".Nga ana e tij, i mbërritur në Prizren nga Maqedonia, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se ashtu si në të shkuarën, shqiptarët duhet të ndjekin sërisht rrugën e bashkimit për në Bruksel.
"Nga gjaku i Prizrenit, Dibrës, Frashërit apo Vokshit, u transmetuan në dejet tona vendosmëria për liri. Këta burra, 134 vjet më parë bashkuan shqiptarët, nga Preveza e Arta në jug e deri në Mitrovicë në veri. Duke bërë për vete idealet e Lidhjes së Prizrenit, duhet të punojmë për të bashkuar të gjithë shqiptarët në Bruksel, në një Europë pa viza dhe të lirë për të gjithë bashkëkombasit tanë, pasi përveçse jemi shqiptarë, të gjithë ne jemi edhe europianë".Lidhja e Prizrenit u formua në vitin 1878, me delegatë nga të gjithë viset shqiptare, me synimin që t’i rezistohej ndarjes së territorit shqiptar, siç kishte vendosur traktati i Shën Stefanit, pas luftës turko-rose të një viti më parë. Lidhja kundërshtoi me forcë kalimin e Ulqinit, Plavës dhe Gucisë nën zgjedhën malazeze, ndërsa themeloi për herë të parë kërkesën për autonomi, arsimim në shqip e për njohje të identitetit shqiptar nga Porta e Lartë. Si rrjedhojë e karakterit kombëtar që kishte lidhja, ajo u konsiderua si një kërcënim për sovranitetin mbi territorin shqiptar nga Perandoria Osmane, që e shpërndau Lidhjen me forcën e armëve në vitin 1881.