English

Berisha pret delegacion nga Banka Europiane e Investimeve

Kryeministri priti sot, një delegacion nga Banka Europiane e Investimeve (BEI), të kryesuar nga Zëvendëspresidenti Dario Scannapieco.

Zoti Scannapieco tha se ishte i gëzuar që vizita e tij përkonte edhe me aktivitete e rëndësishme për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë, - tha zoti Scannapieco - kam ardhur në Shqipëri para 6 vitesh dhe jam shumë i impresionuar me ndryshimet e shpejta e të prekshme që kanë ndodhur në vendin tuaj. Shqipëria me zhvillimin e saj të shpejtë ka hyrë si histori suksesi.

Delegacioni i BEI-t ndodhet në Shqipëri për të nënshkruar kontratën për financimin e By passit të Fierit, si një hallkë e rëndësishme e projekteve të infrastrukturës të ndërmarra në 7 vitet e fundit. Ata u shprehën se e nënshkruajmë me kënaqësi këtë kontratë, duke pasur histori bashkëpunimi të suksesshme me Shqipërinë, qoftë me sektorin privat dhe me atë publik, si në investimet në infrastrukturë, ashtu edhe në arsim. Në të ardhmen, informuan ata, ne kemi në plan të vazhdojmë marrëveshje të tjera po në infrastrukturë, si në hekurudha. Po ashtu, në objektivat e BEI-t është edhe puna e ndihmesa e sistemit bankar, për të shtuar iniciativat e tyre kredituese me sektorin privat.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, i falenderoi për mbështetjen e madhe dhe të gjithanshme që i ka dhënë kjo bankë Shqipërisë në zhvillimet e saj, duke qenë financuesi më i madh i projekteve të zhvillimit në Shqipëri.

Kryeministri e garantoi delegacionin e BEI-t se përkushtimi i qeverisë do të jetë shumë i madh, për të vazhduar bashkëpunimin me projekte në infrastrukturë sidomos në sistemin hekurudhor, duke përmendur jo vetëm hekurudhën Durrës-Tiranë, Tiranë –Vlorë, por edhe vazhdimin Shqipëri-Maqedoni Maqedoni-Bullgari dhe Shqipëri-Mali i Zi. Kryeministri Berisha theksoi se ndërmarrja e projekteve rajonalë në fushën e transportit hekurudhor është i domosdoshëm, sepse shton vlera jo vetëm në sistemin e infrastrukturës, por edhe në atë të turizmit.

Zëvendëspresidenti Scannapieco e siguroi Kryeministrin që BEI do të vazhdojë financimin e projekteve në Shqipëri dhe në rajon, sepse nga monitorimet e bëra, projektet në Shqipëri kanë ecur shumë mirë dhe në prioritetet e bankës qëndrojnë fusha, për të cilat qeveria shqiptare është e interesuar, si infrastruktura rrugore e hekurudhore, sistemi ujor, mbetjet urbane, energjia etj..

Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e ofruar nga BEI për sistemin energjetik, si një sektor shumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe Europën. Bankat si BEI, po ashtu edhe sistemi i brendshëm bankar duhet të kontribuojnë më shumë, për të rritur financimet e projekteve private. Kryeministri gjithashtu tërhoqi vëmendjen edhe në projektin e gazsjellësit TAP, si një projekt shumë i rëndësishëm për Europën e Shqipërinë. Forcimi i rrjetit të transmetimit, tha Kryeministri, është një tjetër fushë e rëndësishme, për t’u konsideruar nga BEI, sidomos linja e transmesionit Itali-Shqipëri, ku qeveria shqiptare është përgatitur të hyjë në formën e partneritetit publik privat.

Zëvendëspresidenti i BEI-t tha se jo vetëm rezultatet e mira në rritjen ekonomike, por edhe ekuilibri makroekonomik dhe stabiliteti i financave publike janë faktorë të rëndësishëm që vazhdojnë të tërheqin investimet e huaja. BEI, tha ai, do të bëjë çfarë është e mundur për të mbajtur me financime këtë interes të madh të investitorëve të huaja për Shqipërinë.

Kryeministri Berisha i falenderoi delegacionin e BEI-t për kontributin e dhënë dhe atë të ardhshëm dhe i siguroi se bashkëpunimi i suksesshëm i qeverisë shqiptare me BEI-n do të vazhdojë të sjellë projekte të rëndësishme, të cilat kontribuojnë në rritje ekonomike dhe punësim.

KOMENTE