English

Rama: interesi i atdheut mbi çdo interes pale

Çka po ndodh është e trishtueshme, është e pa denjë dhe pa dyshim është e pa merituar për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Unë jam këtu për të përsëritur të njëjtin qëndrim të qartë dhe koherent të Partisë Socialiste në funksion të interesit kombëtar. Ky është një proces që po degradon hap pas hapi dhe po rrënon më shumë akoma besimin e qytetarëve tek parlamenti, por nga ana tjetër po godet më shumë akoma besimin e Familjes Europiane te Shqipëria. Kandidatura e sapo tërhequr ishte një kandidaturë që ne e refuzuam sepse nuk kishte asnjë mundësi, për plot arsye, që ne të jepnim mbështetje. Por, kriza po thellohet dhe unë e përsëris një krizë është edhe një mundësi, është edhe një shans për të dalë prej saj përmes një hapi të ri me drejtim të kundërt me inercinë e krizës. Është e pa arsyeshme dhe është krejt kundërproduktive që të kalohet ende më poshtë. Që spiralja e krizës ta përpijë tërësisht, atë çka ne jemi angazhuar qysh në krye të herës për të shpëtuar, mundësinë e Shqipërisë që ta hedhë hapin drejt Familjes Europiane dhe shansin që shqiptarët të mund të gëzojnë për 100 vjetorin e pavarësisë të qenurit pjesë më pranë e Familjes Europiane, me statusin e vendit kandidat.

Për më tepër akoma është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet President dhe që Presidenti të kthehet në ministër. Është e papërfytyrueshme në kohë normale dhe jo më në një moment si ky që është një moment historik, delikat dhe që dikton në emër të interesit kombëtar dhe të ardhmërisë europiane të Shqipërisë domosdoshmërinë që përfaqësuesit e popullit shqiptar në parlament të vënë interesin e njerëzve dhe të atdheut tonë të përbashkët mbi çdo interes pale. Si mund të kalohet drejt një kandidature e cila është tërësisht mishërim i një pale të vetme. Si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se sa Partinë Demokratike dhe nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal. E jo më për konsensusin maksimal që është gjëja që ne vazhdojmë të kërkojmë jo për interesin e Partisë Socialiste as për ndonjë përfitim politik të opozitës, por për interesin kombëtar dhe publik në këtë moment kaq të rëndësishëm

Ne besojmë se nëse ka vullnet të mirë dhe nëse ka dëshirë për ta parë në sy të vërtetën e madhe të Shqipërisë në këtë moment është e mundur të gjendet një zgjidhje. Një zgjidhje e cila duhet të jetë konsensuale, një zgjidhje e cila duhet të jetë produkt i bashkimit të energjive pozitive të të gjitha palëve në funksion të së ardhmes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo është ajo çka unë doja të thosha dhe dua të rinënvizoj se ashtu siç po shkojnë gjërat po vërtetohet hap pas hapi ajo çka kemi thënë në fillim. Se rruga më e mirë, rruga e arsyes është rruga që i çon palët në një pikëtakim rreth një kandidature që të marrë mbështetjen e të gjitha palëve. Ndërsa rruga e krizës është rruga që jo vetëm largon palët por çka është më e keqja largon Shqipërinë nga rruga drejt provimit të 12 tetorit në Bruksel dhe praktikisht krijon kushtet e një izolimi me duart tona të vendit tonë. Ndërkohë që Familja Europiane pret prej nesh sinjalet e nevojshme për të mundur të na afrojë më pranë.

KOMENTE