English

Bashkojmë Politikat dhe Praktikat

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në Konferencën Kombëtare për Zhvillimin Rajonal me temë “Bashkojmë Politikat dhe Praktikat”, e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, Departamenti I Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë Këshillit të Ministrave dhe PNUD-i, si pjesë e projektit “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, i financuar bashkarisht nga BE dhe PNUD-Shqipëri.

Në këtë Konferencë merrnin pjesë Kreu i Delegacionit të BE Ambasadori Ettore Sequi, Koordinatorja e Agjensive të Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përherëshme e PNDUD-it në Shqipëri zonja Zineb Touimi-Benjollun, Ministrja e Integrimit zonja Majlinda Bregu, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe rajonale, të ministrive të linjës që punojnë në zhvillimin rajonal, nga organizatat ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile. Në Konferencë të pranishmit theksuan rolin që luajnë rajonet në rrugën e zhvillimit si dhe diskutuan mbi rëndësinë e ndryshimeve praktike si një mënyrë me të cilën rajonet të mund të përparojnë dhe zhvillohen.

Në ambientet ku u zhvillua Konferenca, katër rajone të vendit, Elbasani, Dibra, Kukësi dhe Berati, kishin ekspozuar projektet e tyre dhe planet mbi zhvillimin strategjik të rajoneve të tyre. Gjithashtu u prezantuan mbi 40 projekte rajonale zhvillimi.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij i shprehu falenderimet më të përzemërta zonjës Benjelloun dhe Ambasadorit Sequi për organizimin e këtij takimi shumë të rëndësishëm për të diskutuar mbi zhvillimin rajonal. Ai shprehu bindjen se zhvillimi rajonal dhe potencialet e qarqeve janë potenciali më i madh për zhvillimin e vendit por theksoi se Shqipëria ka patur dhe ka ende një problem serioz në reformën territoriale të qeverive vendore, për të cilën kryeministri shprehu shpresën se ky problem do të marrë përgjigjen më të mirë me vullnetin e forcave politike në Parlament.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që në përputhje me decentralizimin, qeveria ka rritur me disa herë fondet për qeveritë vendore dhe theksoi se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, në përputhje me projektet në përputhje me projektet e paraqitura nga qeveritë vendore, bën një shpërndarje transparente të këtyre fondeve bazuar në përparësitë që këto qeveri përcaktojnë vetë. "Qeveria sëbashku me ju është e vendosur të thellojë më tej decentralizmin fiskal dhe ne jemi të përgatitur për një paketë të re decentralizmi fiskal, e cila do të fuqizojë të gjithë veprimtarinë tuaj", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka akoma potenciale të mëdha të cilat janë ende për tu shfrytëzuar në qarqet e Shqipërisë, potenciale, të cilat do të mund të shfrytëzohen vetëm me përkushtimin dhe angazhimin e plotë të pushtetit lokal. “Sot tregu dhe promovimi i artikujve janë pazgjidhshmërisht të lidhur njëri me tjetrin. Sot prodhime të mrekullueshme, qofshin ato bujqësore, qofshin ato artizanale mbeten në anonimat, sepse nuk janë në fokusin e autoriteve lokale për ti servirur në të gjithë parametrat dhe të gjitha vetitë që ato kanë” u shpreh ai. Në këtë kontekst ai theksoi se nxitja dhe inkurajimi i artizanatit do të ishte një nga rrugët më të suksesshme më të shpejta për punësimin dhe për krijimin e të ardhurave por edhe për përfaqësimin e gjenisë krijuese të komuniteteve.
Duke vlerësuar se mjedisi, mbrojtja dhe zhvillimi i tij, janëë kushti më kryesor për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, kryeministri theksoi se asgjë që rrënon mjedisin nuk mund të pranohet si variant zhvillimi. “Rëndësi ka që çdo projekt të ketë në themel mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e tij. Të mos krijojmë më batërdira mjedisore siç kemi krijuar në zonën midis Krujës dhe Fushë-Krujës. Të bëjmë gjithçka që Shqipëria të zhvillohet në mjedisin më të shëndetshëm, më të kultivuar, më të zhvilluar”, theksoi ai. Qeveria është e vendosur të delegojë çdo kompetencë që ju nevojitet ju, për të përmbushur misionin e madh të zhvillimit të qarqeve dhe të rajoneve.

KOMENTE