Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot drejtuesin më të lartë të njërës prej organizatave më të mëdha të shërbimeve humanitare në botë, Kryetarin e Fondacionit “Rotary International”, Kalian Banerxhi si dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim pune, duke falenderuar dhe vlerësuar rolin e rëndësishëm dhe kontributin e jashtëzakonshëm që “Rotary International” ka dhënë dhe jep, nëpërmjet shërbimit vullnetar, në përmbushje të nevojave të komuniteteve në mbarë botën në fusha të ndryshme si lufta kundër sëmundjeve infektive, shërbimi mjekësor, arsimi dhe bursat për studentë elitarë, etj. Kreu i Shtetit shprehu vuri në dukje interesin e përfshirjes së Shqipërisë në organizma të tillë të hapura dhe aktive ndërkombëtare që nga viti 1992, si një mënyrë efikase e inkurajimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, edhe nëpërmjet rrjetit të Indisë, vendit të origjinës së zotit Banerxhi, si kontribuesi i tretë më i madh i Fondacionit “Rotary International” nëpër botë.
Me këtë rast, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet mjaft miqësore të Shqipërisë me Indinë, edhe për arsye të lidhjes së përbashkët me emrin e shqiptares së shquar, nobelistes Nënë Tereza, që jetoi dhe punoi në Kalkuta për të përmbushur misionin e saj humanitar në ndihmë të njerëzve të varfër e në nevojë. Gjithashtu, Kreu i shtetit, pasi bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve dhe arritjeve të vendit tonë gjatë viteve të fundit, theksoi se Shqipëria gëzon kushte dhe mundësi optimale për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm me Fondacionin “Rotary International”.
Kryetari i Fondacionit “Rotary International”, Kalian Banerxhi, pasi falënderoi Kryetarin e Shtetit për pritjen e rezervuar, bëri një prezantim të përmbledhur të aktiviteteve më kryesore të orgaizatës humanitare të njohur ndërkombëtarisht, e cila operon “me një rrjet të gjerë botëror prej 1.2 milionë vullnetarësh nga më shumë se 200 vende dhe rajone gjeografike”, të ndihmesës që organizata që drejton ka ofruar ndër vite për vendet e njerëzit në nevojë, duke shprehur njëkohësisht angazhimin maksimal për të punuar edhe në Shqipëri për përmirësimin e gjithanshëm të nivelit të jetesës bë shërbim të së mirës dhe të ardhmes së njerëzimit.