Për të përkujtuar 5-vjetorin e një përmendoreje kushtuar viktimave të komunizmit dje në Uashington, janë mbledhur disa dhjetra vetë. Në ceremoni u fol edhe për Shqipërinë, si vendi që përjetoi një ndër regjimet më të egra komuniste në botë. Disa ish të burgosur politikë bënë thirrje që shoqëria dhe politikanët shqiptarë të tregojnë më tepër ndjeshmëri ndaj viktimave të komunizmit.
Përmendorja kushtuar viktimave të komunizmit ndodhet në një vend jo shumë të dukshëm në një kryqëzim rrugësh të Uashingtonit. Por për ata që vuajtën dhe të tjerë që e ndjejnë se lufta kundër mesazhit komunist nuk ka përfunduar, ajo flet shumë.
Në ceremoni janë sjellë shumë kurora për nderuar viktimat. Kanë ardhur personalitete politike.
Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, i tha Zërit të Amerikës se kjo është një luftë që vazhdon.
Në fjalimin e tij në ceremoni, zoti Rumsfeld tha se tani është e qartë se çfarë i shkaktoi ideologjia totalitare njerëzimit.
Komunizmi është përgjegjës për vdekjen e më shumë qënieve njerëzore se çdo lëvizje tjetër në historinë e njerëzimit.