English

Vetëvendosje. Planet mbi zhvillimin e turizmit malor dhe blegtorisë

Dje, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE, për Komunën e Kaçanikut, Shukri Luta dhe Sekretari Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dardan Molliqaj, bashkë me disa aktivistë dhe qytetarë të Kaçanikut vizituan lagjen fshatin Shtrazë duke u përqendruar te planet mbi zhvillimin e turizmit malor dhe blegtorisë.

Më poshtë janë fjala e Shukri Lutës dhe Dardan Molliqaj për mediat e pranishme:

Shukri Luta: Kemi ardhur këtu në Shtrazë për t’i treguar gjithë Kosovës bukuritë natyrore të Komunës së Kaçanikut. Bjeshkët tona në vetvete përmbajnë një potencial ekonomik i cili nuk është përdorur kurrë.

Kjo pasuri e paprekur natyrore do të mund të transformohej shumë lehtë edhe në pasuri ekonomike për bashkëqytetarët tanë, pasi Kaçaniku i ka edhe kapacitetet njerëzore për të zbatuar projekte konkrete zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. E vetmja gjë që e ka frenuar zhvillimin ka qenë mungesa e vullnetit politik nga pushteti i këtyre 12 viteve.

Siç e shikoni edhe vetë, në këtë vend, banorët e fshatit janë organizuar vetë dhe kanë ndërtuar disa vila të mrekullueshme. Komuna jo vetëm që s’i ka ndihmuar në këtë iniciativë, por as rrugën nuk i ka shtruar fshatit.

Programi ynë qeverisës për Turizmin Malor parashikon ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, programeve tarifore dhe partneritetit publiko-privat, për të nisur tre projekte për fshatra turistike në bjeshkë. Aty ku ne identifikojmë vendet më të përshtatshme do të afrojmë edhe investitorët do të japim edhe përkrahjen me infrastrukturë për t’i kthyer planet tona në realitet.

Këtë strategji zhvillimi të qëndrueshëm ne do ta ndërthurim me rritjen e prodhimeve blegtorale të cilat plotësojnë nevojat që krijohen nga turizmi si dhe zëvendësojnë mallrat që sot vijnë nga importi, në mënyrë që të nis e të rimëkëmbet edhe prodhimi vendor. Subvencionet në bujqësi dhe blegtori do të rriten nga 2% në 7% në buxhetin e Komunës së Kaçanikut.

Dardan Molliqaj: Lëvizja VETËVENDOSJE! është e bindur se zhvillimi ekonomik vjen nga brenda, për këtë arsye besojmë se investimi duhet orientuar në sektorë që krijojnë punësim, duke rritur në fund edhe mirëqenien e qytetarëve. Ndër këto sektorë, turizmi dhe blegtoria në Kaçanik janë dy sektorë kyç ku duhet të përqendrohet përkrahja komunale, pasi këta dy sektorë kanë dhe potencialin më të madh për ta zhvilluar zonën ekonomikisht dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Në vend që të merret me projekte konkrete zhvillimi, Kryeministri i vendit ditën e hënë e përkrahu publikisht ish-kryetarin e Komunës së Kaçanikut që është dënuar nga dy gjykata për haraç e për shantazh, e që pritet të hyj në burg për tre vjet. Pra, në Kosovë kemi një Qeveri dhe një Kryeministër i cili në vend që të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe blegtorisë në Kosovë, ai vendos të përkrah krimin e organizuar. Normalisht qeveritarët tanë nuk kanë as përgjegjësinë, as vullnetin e as ndjeshmërinë për të investuar në turizëm në Kosovë, pasi vetë ata pushimet i kalojnë jashtë vendit.

KOMENTE