Ish-kreu i Agjencisë së Privatizimit në Kosovë, Dino Asanaj i cili u mendua se kishte bërë vetëvrasje, burime të sigurta nga "Koha Ditore" në Kosovë, kanë thënë se ai është goditur me 7 thika.
Pritet të bëhet dhe autopsia e trupit të të ndjerit për të dhënë raportin përfundimtar zyrtar, që ka mundësi të hedhë poshtë versionin e mëparshëm atë të vetëvrasjes.
AKUZA PER MITMARRJE
Policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth ngjarjeve, por ditë më pare Koha Ditore kishte informuar se një biznesmen, Remzi Ejupi, i cili i ka 20 për qind të aksioneve në “Grand”, kishte thënë se ka pasur kërkesa nga persona që t’i paguajë 4 milionë euro nëse dëshiron që kjo ndërmarrje të mos i kthehet AKP-së,
Kur është pyetur se kush i ka kërkuar këto mjete, ai tërthorazi e kishte përmendur Dino Asanajn, kryetarin e Bordit të AKP-së.
“Dino Asanajn pyeteni se kë e ka dërgu me m’i kërku dhe për kënd i ka kërku”, ka thënë Ejupi.
Ai ka thënë se në prokurori do të tregojë se kush i ka kërkuar këto pare për të shpëtuar hotelin “Grand”. Por ai ka lënë të kuptojë se edhe zëvendëskryeministri Pacolli është në dijeni për ryshfetin e kërkuar nga persona që ai nuk ka dashur t’i përmendë me emër.
Kurse Agjencia Kosovare e Privatizimit përmes zëdhënësit të saj, Ylli Kaloshi, kishte thënë se prokuroria e gjykatat janë ato që merren me akuza të tilla.