Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në SHBA, u takua me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Iowa me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me afaristët në Kosovë.
Në takimin e organizuar nga gjenerali Timothy Orr, i Gardës Kombëtare të SHBA-së, presidentja Jahjaga theksoi se vizita në Iowa dëshmon lidhjen e fuqishme me Republikën e Kosovës, përmes marrëveshjes së nënshkruar për Partneritet shtetëror. Presidentja vlerësoi rolin e SHBA-së për paqen, lirinë dhe demokracinë në Kosovë dhe tha se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve po thellohet edhe më shumë me partneritetin mes Iowa-s dhe Republikës së Kosovës.
Duke folur për zhvillimin ekonomik Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës po punojnë për të nxitur rritje të qëndrueshme në të gjitha fushat e ekonomisë, duke e mbajtur trendin pozitiv të rritjes. Ajo theksoi se Kosova po punon që të rris prodhimin e saj vendor, posaçërisht në fushën e bujqësisë dhe të energjetikës, me qëllim që jo vetëm të përmbushë nevojat e brendshme por edhe jetë fuqi energjetike për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është një treg atraktiv për investime të huaja me taksa të ulta, sistem bankar të qëndrueshëm, me ligje që mbrojnë investimet dhe me fuqi punëtore të re dhe të shkolluar.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë të krijojnë një mjedis të sigurt për investitorët e huaj dhe ata vendor, duke përmirësuar edhe me të tutje klimën e biznesit, duke zhvilluar infrastrukturën në vend dhe duke e nxitur tregun e lirë. Ne po punojmë së bashku me FMN-në dhe Bankën Botërore, për të përcaktuar aktivitetet që do të përshpejtonin rritjen ekonomike, do të krijonin vende të reja të punës dhe do të mbështesnin kohezionin social”, tha presidentja Jahjaga.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit Presidentja Jahjaga ishte e shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, zotëri Akan Ismajli dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, zotëri Christopher Dell, u përgjigj në pyetjet e pjesëmarrësve të takimit që shfaqën interesim për Kosovën dhe zhvillimin e saj të përgjithshëm ekonomik.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë ditës është pritur edhe nga organizata “Iowa Sister States”, që bashkon qytetarët e shtetit të Iowa-s me rajonet e shteteve të ndryshme në botë dhe që ka për mision sigurimin e programeve ndërkombëtare, të cilat thellojnë lidhjen edhe kulturore, arsimore por edhe ekonomike ndërmjet popujve dhe vendeve. Presidentja Jahjaga u prit nga një grup qytetarësh të udhëhequr nga kryetari i organizatës zotëri Tom Rial, i cili theksoi se rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Kosovës dhe Iowa-s.
Duke e falënderuar për pritjen presidentja Jahjaga theksoi se përmes partneritetit shtetëror Kosova ka vendosur marrëdhënie të ngushta me Iowa-n, posaçërisht me Gardën Kombëtare të SHBA-së por bashkëpunimi duhet të shtrihet, tha ajo, edhe në shumë fusha të tjera. Ajo theksoi se prania amerikane në Kosovë, përmes trupave ushtarake, ka sjellë paqen dhe stabilitetin jo vetëm për vendin por edhe për gjithë rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se vendosja e një partneriteti më të ngushtë mes Kosovës dhe Iowa-s, në të gjitha fushat do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor dhe do të hapte perspektiva të reja për qytetarët edhe të Kosovës edhe të Iowa-s.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka vizituar edhe Universitetin e Des Moines të Iowa-s, të specializuar në fushën e mjekësisë dhe me drejtuesit e tij ka biseduar për mundësinë e shkëmbimit të përvojave, të programeve dhe mësimdhënësve e studentëve me Universitetin në Kosovë.