English

Presidenti Topi mesazh urimi Presidentes Jahjaga për marrjen e udhërrëfyesit

Nëpërmjet një mesazhi dërguar sot Presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjaga bërë publik, Presidenti i Republikës, prof. Dr. Bamir Topi përshëndet vendimin e Komisionit të Bashkimit Evropian për dhënien Kosovës të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Në mesazh thuhej:
"Kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve, dhe nëpërmjet jush, të gjithë popullit të Kosovës, urimet më të ngrohta për marrjen e udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë me vendet e Bashkimit Evropian!

Duke ju uruar për këtë fitore historike, nënvizoj me kënaqësi faktin që Republika e Kosovës ka dëshmuar se ka kryer reforma të rëndësishme me dinjitet dhe përkushtim të lartë. Ky lajm është një gëzim i veçantë për të gjithë kombin shqiptar, i cili ka manifestuar një vlerësim të thellë për të gjitha proceset demokratizuese dhe progresive që po ndërmerren nga shtetet tona, me qëllimin kryesor integrimin e plotë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.

KOMENTE