Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Kryetarin e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Kith Uajtmor, i cili, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i këtij Kongresi, Andreas Kifer.
Pasi u uroi mirëseardhjen, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e takimit me drejtuesit e lartë të Kongresit të Këshillit të Evropës, duke nënvizuar me këtë rast mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe mbështetjen e fuqishme që strukturat evropiane i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Shqipërisë, në drejtim të forcimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut si dhe në veçanti mirëfunksionit të pushtetit vendor.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rolin e rëndësishëm të Këshillit të Evropës gjatë procesit aktual të përmbushjes nga Shqipëria të reformave e kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vlerësoi lart kontributin e Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale për t’i ofruar Shqipërisë përvojë të vlefshme dhe pozitive si dhe shprehu besimin se “autoritet vendore shqiptare, tashmë që edhe Shoqata e Kryetarëve të Bashkive është bashkuar, do të dijë të ndjekë një politike efikase në drejtim rritjes së frymës së bashkëpunimit dhe komunikimit me pushtetin qendror, në të mirë dhe vetëm në shërbim të qytetarëve tanë për t’u ofruar atyre shërbimet e nevojshme pa dallim përkatësie apo preference politike”.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën të njëjtat pikëpamje sa i përket kryerjes me sukses të funksionit të rëndësishëm të drejtimit nga Shqipëria për herë të parë të Presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke vlerësuar se vendi ynë do të dijë jo vetëm të zbatojë më së miri detyrat përkatëse, por dhe do t’i përmbahet motos së KiE-së: “Të bashkuar në shumëllojshmëri”.
Nga ana e tij, Kryetari i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Kith Uajtmor, pasi vuri në dukje përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria për kuadrin ligjor dhe funksionimin e procesit të decentralizmit të pushtetit vendor, përgëzoi Kryetarin e Shtetit shqiptar për rolin kushtetues e moderues në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të vendit dhe konsolidimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.
Gjithashtu, zoti Kith Uajtmor duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit shprehu dhe njëherë bindjen se Kongresi dhe instancat e tjera të Këshillit të Evropës do të punojnë dhe japin mbështetje të mëtejshme për realizimin me sukses e sa më parë të aspiratës integruese të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme e strukturave evropiane.