English

10 fëmijë shqiptarë çdo vit do kurohen në spitalin Gaslini, Itali

Zëvendëministri Spahia ka firmosur dje marrëveshjen me spitalin pediatrik Gaslini: 10 pacientë me sëmundje zemre do të kurohen cdo vit. Një nga qendrat e ekselencës në nivel ndërkombëtar në fushën e pediatrisë, Instituti “Giannina Gaslini”, spitali pediatrik më i madh i veriut të Italisë, njohur për suksesin në kurimin e sëmundjeve të zemrës, do të trajtojë cdo vit 10 fëmijë shqiptarë që kanë probleme komplese kardiake të cilat kërkojnë ndërhyrje të specializuara.

Kjo falë marrëveshjes së firmosur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instutitit të kërkimi Giannina Gaslini. Zv/ministri i shëndetësisë Bardh Spahia, negociator i marrëveshjes për palën shqiptare, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit Gaslini dott. Paolo Petralia, kanë sigluar vetëm pak ditë më parë në Genova të Italisë.

“ Do ta konsideroja një nga marrëveshjet më të rëndësishme që ministria e shëndetësisë ka lidhur me një institucion të huaj. Bëhet fjalë për një marrëveshje të lidhur me një nga qendrat e ekselencës përsa i takon patologjive të ndryshme dhe në vecanti atyre kardiake. Realizimi i kësaj marrëveshje është pjesë e politikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë Shqiptare për nxitjen e kapaciteteve spitalore në përgjithësi dhe atyre pediatrike në vecanti. Kjo është pjesë integrale e një suporti të madh që qeveria shqiptare iu ka dhënë nismave të tilla dhe shërbimeve të vecanta si kardiologjia dhe kardiokirurgjia në rastin konkret. Mjafton të përmendim ndryshimin sa i takon financimeve nga 300 milionë vitin e kaluar në 800 milionë këtë vit, një rritje që do të vazhdojë të shkojë në mënyrë progresive, 120 milionë janë fond i akorduar vetëm për aparatura. Pjesë e rëndësishme e këtyre ndryshimeve këtë vit do të jetë dhe ngritja e qendrës së parë hemodinamike shqiptare, pjesë e marrëveshjes më të fundit të nënshkruar me institutin Gaslini.” u shpreh zv/ministri i shëndetësisë Bardh Spahia gjatë n jë conference për shtyp.

Marrëveshje që pritet t’iu japë zgjidhje urgjencave kardiake të rënda në moshat pediatrike, të pakurueshme deri tani në spitalet tona, është e përqëndruar në tri pika kryesore.

1.Klinike dhe assistencë, ku përfshihet jo vetëm numri prej 10 fëmijësh shqiptarë që do të trajtohen cdo vit, por dhe një ulje të tarifave spitalore në masën 30 për qind për të gjitha rastet e tjera të pacientëve shqiptarë që do të trajtohen pranë këtij spitali dhe në rrugë jo zyrtare.

2. Formim, ku përfshihet trajnimi i strafeve mjekësore shqiptare në një gamë specialitetesh pediatrike.

3. Suport në fusha të ndryshme. Në këtë pikë mes zv/ministri Bardh Spahia dhe autoriteteve të larta drejtuese të Institutit është diskutuar mbi asistencën që pala italiane pritet të jape në ngritjen e të parës qendër të Hemodinamikës Pediatrike në vend (korrigjim difektesh kardiake, pa operacion). Ngritja e kësaj qendre në Tiranë, do të zgjidhte shumë probleme kardiake në moshat e vogla, në ato raste kur është e mundur, pa qënë nevoja e aplikimit të kirurgjisë tradicionale, që do të thotë më pak traumë postoperatore për të vegjlit, ulje të risqeve që bart një ndërhyrje kirurgjikale dhe më pak kosto ekonomike në buxhetet spitalore. Futja e hemodinamikës pediatrike, cilësohet një hap pozitiv shumë i domosdoshëm me efekte të mëdha positive mjekësore në rradhë të parë, sociale sa u takon familjarëve dhe ekonomike sa i takon buxhetit të spitaleve, pasi është një nga ndërhyrjet me më pak ditë shtrimi në spital.

“Deri tani nuk kemi pasur asnjë marrëveshje teknike me asnjë spital rajonal për trajtimin e patologjive të rënda kardiake të patrajtuara në Shqipëri, në mënyrë që të arrinim në 100 për qind të kurimit të pacientëve, ndaj ky për ne si kardiokirurgë është një lajm i mirë. Gaslini është një nga qendrat evropiane për kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë pediatrike. Kjo marrëveshje do të na ndihmonte shumë në ngritjen e qendrës së hemodinamikës duke shkuar në një linjë dhe me një udhëzim që ka dhënë kryeministri për ngritjen në Tiranës të një qendre rajonale për trajtimin e kardiopative tw lindura. Deri tani të gjithë fëmijët që kanë pasur nevojë për kateterizëm kanë shkuar jashtë. Por me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe realizimin e Qendrës së Hemodinamikës Pediatrike, ky problem pritet të gjejë zgjidhje duke bërë të mundur dhe shërimin e shumë pacientëve pa operacion”, tha kardiokirurgu pediatër, Altin Veshti. Shqipwria ka një incidencë 8 për 1000 lindje të kardiopative të lindur, rreth 320 raste në vit, nga të cilat 95 për qind, trajtohen në Spitalin “Nënë Tereza”, përfshi këtu dhe 250 fëmijë që vijnë nga Kosova.

Bashkëpunimi mes dy vendeve, Shqipëri Itali, pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit në 2007, mund të cilësohen si një nga më të suksesshmit. Së bashku me marrëveshjen e fundit firmosur nga zv/ministri Bardh Spahia janë 12 marrëveshje bashkëpunimi me qendra spitalore prestigjioze italiane. Kurim pacientësh, trajnim mjekësh, bashkëpunim në fushën e barnave, shkëmbime informacioni, eksperiencë dhe literaturë.

Të dhëna mbi institutin Giannina Gaslini
Instituti Gaslini është spitali më i madh pediatrik në veri të Italisë me 22 ndërtesa të vendosura në 73 000 metra katror sipërfaqe. Në të punojnë 2000 persona, mjekë infermierë dhe kërkues shkencorë. Ofron të gjitha specialitetet pediatrike, laboratore dhe katedra universitare të shumta. Një nga klinikat më referuese jo vetëm brenda Italisë por dhe në rang ndërkombëtar.

Ka mesatarisht 500 shtretër dhe 50 mijë shtrime cdo vit dhe 40 mijë shtrime në Ndihmën e Shpejtë të nivelit të dytë. Rreth 45 për qind e fëmijeve që kurohen në të vijnë nga rajone të tjera të tjera –përfshi veriun- dhe jashtë Italisë. Dhe në disa reparte ekselence përqindja e shtrimeve nga jashtë Italisë arrin në 80 për qind. Rreth 600 pacientë me kombësi të tjera, jo italiane mjekohen cdo vit në këtë spital

Instituti Gaslini njihet si një qendër klinike referimi ndërkombëtare. Eshtë i njohur në fushën mjekësore pediatrike në nivel ndërkombëtar për trajtimin e sëmundjeve të rralla. Po aq i njohur është dhe në fushën e neuroshkencave, neurokirurgjisë, kardiologji intervenuese dhe kardiokirurgji. Departamenti i hemato-onkologjisë pranë Gaslinit është qendër europiane koordinimi për neuroblastomën, një tumor që haste shpesh në moshat pediatrike me një mortalitet të lartë
Sektorë të tjerë të specializuar në nivel superior, pika referimi kombëtare në Itali dhe ndërkombëtare janë dhe Terapia Intensive, Nefrologjia, Kirurgjia e Përgjithëshme, Shërbimi I të Porsalindurit, Onkologjia e Ortopedia, Gjinekologjia dhe Diagnoza Prenatale (para lindjes)

Nga 2007, 12 marrëveshje bashkëpunimi me Italinë në shëndetësi

.19 nëntor 2007, firmoset memorandumi 5-vjeçar i bashkëpunimit Shqipëri-Itali
. 23 janar 2009, plan konkret bashkëpunimi MSH dhe spitali pediatrik universitar “Bambino Gesu”
. 27 mars 2008, bashkëpunimi me MSH dhe “Casa Sollievo della Sofferenza”
. Qershor 2009, projekti i bashkëpunimit me Qendrën Spitalore Bergamo, rajoni i Lombardisë
. 24 prill 2009, memorandumi i bashkëpunimit me Agjencinë Italiane të Barnave, hedhja e hapave të para për Farmakovigjilencën
. 29 prill 2010, marrëveshje bashkëpunimi mes MSH dhe Universitetit Katolik të zemrë së shenjtë, fakultetit të mjekësisë dhe kirurgjisë “A Gemelli” në Romë dhe qendrës kërkimore dhe trajnuese tq teknologjisë së lartë në shkencat biomjekësore “Giovanni Paolo II”
. 27 korrik 2010, marrëveshje bashkëpunimi me rajonin e Toskanës
. 21 tetor 2010, marrëveshje bashkëpunimi me rajonin e Friuli, Venecia Giulia
. 2 korrik 2011, marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Shëndetit Publik në Itali
. 2001, binjakëzimi i Spitalit të Vlorës me Spitalin e Pizës
. Bashkëpunim i Spitalit të Shkodrës me Spitalin e Forelisë
Qershor 2012 marrëveshje bashkëpunimi në kuadrin e asistences shendetesore dhe formimit profesional me Institutin Gaslini Genova

KOMENTE