English

MPJ sqaron refuzimin e deklaratës SEECP

Në datën 15 qershor 2012, në Beograd u mbajt Samiti i Kryetarëve të Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP). Samiti u parapri nga Takimi i një ditë më parë, i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme. Këto takime shënuan edhe mbylljen e Kryesisë të Serbisë në SEECP. Delegacioni shqiptar në dy takimet u kryesua nga z.Selim Belortaja, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Të dy takimet lidheshin përmes një agjende të ngjashme. Çështjet e shqyrtuara në takimin e Ministrave të Jashtëm do të duhet të merrnin miratimin final gjatë punimeve të Samitit. Samiti miratoi edhe zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Në të dy ndërhyrjet e bëra nga kryetari i delegacionit shqiptar, u vu në dukje fryma konstruktive dhe kontributi i Shqipërisë në proceset dhe nismat e bashkëpunimit rajonal. U nënvizua progresi i bërë në proceset integruese, jo vetëm si objektiv prioritar i politikës sonë të jashtme por edhe si forcë shtytëse për reformat e brendshme.

Theks i vecantë iu vu nevojës për respektimin e parimit të gjithëpërfshirjes të vendeve të rajonit-në tryezat rajonale, si dhe u bë thirrje për përshpejtimin e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, në përputhje me marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së.

Rendi i ditës parashikonte gjithashtu, miratimin e Deklaratës Politike të SEECP. Vecanërisht, gjatë Samitit, u konstatua ashpërsimi gjuhës kundër Kosovës si një shtet i pavaruar si dhe një qëndrim i prerë kundër përfaqësimit të saj në forumet rajonale.

Në fjalën e tij Presidenti Nikoliç nënvizoi se “Pozita parimore e Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës ….mbetet e pandryshuar. Ne nuk do të njohim kurrë, direkt apo indirekt, deklaratën e njëanshme të pavaresisë”. Ndërsa Ministri i Jashtëm të Jashtme, z.Jeremic ndërmjet te tjerave theksoi se “…kudo dhe për aq kohë sa do te kete Republike te Serbise, nuk mund te kete “Republike te Kosovës”.

Gjatë gjithë procesit të negocimit të deklaratës Delegacioni shqiptar, insistoi në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për dialogun Prishtinë-Beograd.

Mbas shume tentativave tona për të riorganizuar negociata për këtë paragraf me ndjeshmëri të lartë, pala serbe nuk na u përgjigj ne asnje rast .Duhet theksuar se qëndrimi ynë ishte në një linjë me ate te disa delegacioneve te pranishme, përfshirë delegacionin e Komisionit Europian. Gjuha e përdorur në propozimin shqiptar përkon tërësisht me formulimet zyrtare të BE-së. Pala shqiptare tregoi gatishmëri, për të arritur në kompromis. Konsensusi u bë i pamundur sidomos pas fjalimeve të lartpermendura. Ndërkohë që pala serbe insistoi deri në fund në përjashtimin e termit” marrëveshje ekzistuese”. Si përfundim Kryetari seances lajmëroi mosmiratimin e Deklaratës politike për shkak te mosdhënies së konsensusit.

KOMENTE