English

Ambasadorja gjermane: kishim shpresuar të arrihej konsensusi për presidentin

Ambasadorja e Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper shprehet mjaft optimiste se presidenti i zgjedhur edhe pse jo konsensual do të përmbushë detyrat e tij dhe do të luftojë për integrimin e Shqipërisë.
Ajo ka dhënë një intervistë për Radio:Deutsche Welle, të cilën e gjeni të plotë më poshtë:

Zonja Ambasadore, në politikën e brendshme të Shqipërisë kishim së fundi një zhvillim të rëndësishëm, finalizimin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Si e vlerësoni në tërësi procesin, dhe zgjedhjen në raundin e katërt të z. Bujar Nishani në krye të shtetit?


Carola Müller-Holtkemper: Parlamenti shqiptar zgjodhi presidentin e ri ne nje proces kushtetues dhe kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që ne dhe të tjerë kishim shpresuar të arrihej konsensusi. Bujar Nishani më duket një zgjedhje e mirë, unë i kam shprehur atij urimet e mia. Përvoja e bashkëpunimit me të kanë qenë pozitive, qoftë si ministër Drejtësie ashtu edhe si ministër i Brendshëm. Ishte një bashkëpunim besimplotë, transparent dhe rezultativ. Unë jam optimiste që, si President, ai do të përpiqet të përfaqësojë vërtet „unitetin e popullit“.


Ka diskutime në opinion që e lidhin zgjedhjen e kreut të shtetit me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Në pikëpamjen tuaj, a mund të konsiderohet procesi presidencial një element pozitiv, apo një element negativ në ambicien e Shqipërisë për marrjen e statusit në vjeshtën e këtij viti?


Carola Müller-Holtkemper: Procesi ishte korrekt në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme mundën të parandaloheshin. Tani duhet të jenë në dispozicion sërish të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përmbyllur punën me prioritetet e mbetura të përafrimit me BE. Ambiciet për vjeshtën e ardhshme janë tashmë të njohura, po kështu edhe kushtet. Komisioneri Füle i ka sjellë edhe njëherë në vëmendje pikat e mbetura gjatë fjalës së mbajtur përpara parlamentit shqiptar. Për më tepër këtu nuk është fjala për kërkesa „të huaja“, por për një katalog detyrash, të cilat shqiptarët ia kanë vënë vetes në kuadër të të ashtuquajturit "action plan".


Duke u nisur nga zhvillimet aktuale politike, cila është pritmëria juaj znj. Ambasadore, për realizimin dhe përmbushjen e të tjerave “detyra të shtëpisë” që Brukseli ka vendosur për Shqipërinë. Kam parasysh këtu reformën elektorale, trajtimin e çështjes së imunitetet për zyrtarët e lartë dhe politikanët, përmirësimin e rregullores në jetën parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.


Carola Müller-Holtkemper: Reforma e kodit zgjedhor, reforma parlamentare, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në tërësi, pra, krijimi i shtetit ligjor, këto janë detyrat që duhet të përmbushen në rrugën e përafrimit me BE. Ne do të ndjekim me shumë kujdes progresin dhe – ky është premtim – nëse do të ketë një të tillë, do ta vlerësojmë atë.


Gjatë kësaj jave në Tiranë mbahet një konferencë ekonomike gjermano- shqiptare. Duke marrë shkas nga ky event, si janë aktualisht marrëdhëniet dypalëshe në këtë fushë?


Carola Müller-Holtkemper: Konferenca e ekonomisë është shprehje e marrëdhënive tona të ngushta ekonomike. Ky nuk është një aktivitet unik, por aktiviteti i radhës nga një sërë syresh, i cili këtë herë zhvillohet pikërisht në Tiranë. Në kuadër të DIHA-s janë organizuar rreth 60 anëtarë; tendenca është në rritje. Rezultati i anketimit të fundit ka dëshmuar, se pjesa më e madhe e investitorëve janë të kënaqur me përzgjedhjen e vendndodhjes së biznesit të tyre. Sikundër gjithandej edhe këtu ka potencial përmirësimi, çështje që ne gjithsesi do t`i adresojmë dhe për të cilat do të gjejmë zgjidhje.

KOMENTE