Implementimi i konkluzioneve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, është nevojë dhe kusht i domosdoshëm për fitimin e besimit dhe cilësisë së dialogut, si dhe shprehjes së gatishmërisë për fqinjësi të mirë dhe respekt reciprok, tha Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në takimin e zhvilluar disa ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së në dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Robert Cooper.
Në këtë takim në të cilin u bisedua rreth implementimit të konkluzioneve të arritura në këtë dialog, Ministri Kuçi shprehu qëndrimin e Republikës së Kosovës që të implementohen konkluzionet e arritura dhe këtë qëndrim kishte edhe z. Cooper.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, po ashtu është takuar edhe me Shefin e Operacioneve Civile të Komisionit Evropian, z. Hansjorg Haber, me të cilin kanë diskutuar për raportet e institucioneve kosovare me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit EULEX, të cilat nga të dy u konsideruan të jenë raporte korrekte dhe shumë bashkëpunuese për vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë vendin.
Më tutje, Kuçi dhe Haber biseduan edhe për transferimin e kompetencave të EULEX-it tek institucionet vendore, gjë që do të bëhet brenda dy viteve të ardhshme, me përjashtim të rasteve të procedimit të krimeve të luftës. Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për mënyrën e vazhdimit të mandatit të EULEX-it pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.