English

Projekti teknik i Bulevardit të ri të Tiranës, brenda Nëntorit gati

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se brenda nëntorit përfundon projekti teknik i Bulevardit të ri të Tiranës, me gjatësi 1.8 km. Në ekspozitën e hapur nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti Politeknik i Barit, “Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje”, zoti Basha bëri të ditur se puna në bulevard do të nisë shumë shpejt.

“Në këtë projekt madhështor ne po ecim me shpejtësi, për të siguruar që jo vetëm të ndërtojmë bulevardin, infrastrukturën publike por të sigurojmë një profil sa më qytetar sa më bashkëkohor, sa më funksional në të dy anët e tij, një zhvillim modern që do i japë vlerë pronës së qytetarëve që banojnë dhe kanë pronat e tyre, që do të urbanizojë këtë zonë të populluar kohët e fundit dhe do të kthehet në një qendër vërtet tërheqëse për Tiranën dhe gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës, kryeqendra e tyre” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Fillimisht, me mbështetjen financiare të BE-së, do të nisë puna për sheshin e Drejtësisë, “ku një kontribut të rëndësishëm - tha zoti Basha - jep dhe Italia”.

“Qeveria italiane po jep ndihmesën e saj, edhe në kuadër të BE, për financimin e dhomës së parë të bulevardit, nëpërmjet ndërtimit, siç kemi këtu në sheshin “Skënderbej”, të sheshit të ministrive, një sheshi ikonik për Ballkanin (ndoshta edhe për Europën, do të thoja), të një sheshi drejtësie ku do të vendosen komponentët kryesorë të atij që quhet Pallati i Drejtësisë, por që me gjasa do të jetë një komponent i shtrirë horizontalisht, në të dy anët e një sheshi të madh e të gjelbëruar në fillim të bulevardit të ri”

Më pas, puna do të vazhdojë me objekte të tjera të rëndësishme si Holli i Koncerteve, Galeria e Artit Bashkëkohor, një bibliotekë e madhe universitare-bashkiake e shumë e shumë institucione të tjera të rëndësishme social-kulturore si dhe investime private të fuqishme, të tilla si kryeqendra e Bankës “Societe General” apo të tjera objekte të rëndësishme .

“Është e qartë se ajo që nisi si ide, sot është një lokomotivë e fuqishme për zhvillimin e qytetit të Tiranës, investimet në qytetin e Tiranës , zhvillimin e ekonomisë, hapjen e mijëra vendeve të punës dhe përfundimin e atij profili europian që “baballarët” arkitektë të Tiranës moderne europiane projektuan në fillimin e shekullit të kaluar” - u shpreh Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha

KOMENTE