English

Kryeministri Berisha takon delegacionin e Bankës Botërore

Kryeministri Berisha priti sot, një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga zoti Tomasz Telma, Drejtor për Europën dhe Azinë Qendrore.

Zoti Telma e përgëzoi Kryeministrin në emër të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), për rezultatet shumë të mira të arritura në drejtim të mbajtjes së shëndetit të ekonomisë, tërheqjes dhe menaxhimit të investimeve të huaja në Shqipëri. Ai e falënderoi Kryeministrin për bashkëpunimin e suksesshëm që IFC ka pasur vitet e fundit me qeverinë shqiptare dhe sektorin privat, ndërsa shprehu kënaqësinë që IFC është bërë pjesë e këtyre sukseseve. Për këtë, tha zoti Telma, ne do të vazhdojmë përkushtimin për të rritur dhe tërhequr sa më shumë investimet e huaja.

Në këtë kuadër, zoti Telma i prezantoi Kryeministrit progresin e IFC-së në projekte të ndryshme, si në atë të krijimit të partneritetit publik privat për mirëmbajtjen e rrugës së kombit, projekt, i cili në fund të këtij muaji prezantohet në konferencën e investitorëve të mëdhenj të interesuar për këtë garë dhe parashikohet që në fund të vitit kompania fituese të fillojë punën. Gjithashtu, në përfundim e sipër është edhe procesi i privatizimit të katër hidrocentraleve, Bistrica 1, Bistrica 2, Ulzë e Shkopet dhe sipas parashikimit, në tetor do të mbyllen negociatat dhe do të shpallet fituesi i garës. Po ashtu, progres pozitiv ka vlerësimi dhe fizibiliteti përfundimtar për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Një projekt tjetër, ku IFC po punon me përkushtim, është ai i mbetjeve urbane, koncesioni i landfillit të Sharrës dhe i një landfilli të ri, projekt që do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të mbetjeve urbane për Tiranën dhe me perspektivë që të kthehet në projekt rajonal.

Kryeministri Berisha, pasi falenderoi IFC për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë dhe sektorit privat shqiptar, në rrugëtimin e ndërtimit të një ekonomie të shëndetshme tregu, e ftoi IFC-në të shtonte mbështetjen dhe të përqendrohej në financimin e projekteve të sektorit privat. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend që ofron projekte reale dhe fitimprurëse, të cilat ndihmojnë në vitalizimin e iniciativës private, rritjen e konkurrueshmërisë, garantojnë punësim dhe mbajnë rritjen e qëndrueshme ekonomike. Shqipëria, theksoi Kryeministri, ndryshe nga vendet e eurozonës ka çfarë të ofrojë për të përdorur paratë e bankave. Shqipëria ka projekte në sektorin e energjisë, një sektor vital, me të ardhme e treg të padiskutueshëm. Numri i projekteve për energjinë e rinovueshme, veçanërisht atë ujore është i madh dhe 46 HEC-ve të përfunduara pritet t’u shtohen edhe qindra projekte të tjera, që me ndihmën e financuesve si IFC, kthehen në histori suksesi të padiskutueshme.

Zoti Telma e siguroi Kryeministrin se IFC do të përqendrohet në këtë drejtim dhe tashmë ka filluar bashkëpunimin me një sërë bankash tregtare të Shqipërisë, për t’u dhënë hua për financimin e projekteve energjetike.

KOMENTE