English

Presidenti izraelit, Shimon Peres pret Presidentin shqiptar Bamir Topi

Në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e katër Presidenciale “Përballja me të nesërmen” Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga delegacioni zyrtar shqiptar, u prit sot pasdite nga Presidenti i Shtetit të Izraelit, Shimon Peres.

Temë e bisedimeve në takimin zyrtar mes dy Krerëve të Shteteve dhe delegacioneve respektive ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe vullneti reciprok për t'i çuar përpara edhe në të ardhmen. Në këtë drejtim Presidenti Topi vlerësoi si një moment të veçantë hapjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri, e cila do të ofrojë mundësi të drejpërdrejta për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve në sektorë me interes të ndërsjelltë si dhe për forcimin e miqësisë historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona.

Presidenti Topi përshkroi mundësitë e shumta dhe legjislacionin lehtësues tatimor që ofron Shqipëria, "tashmë një anëtare e NATO-s dhe në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE", duke vënë në dukje se burimet e shumta natyrore të vendit tonë mund të jenë me mjaft interes për investitorët izraelitë në fusha si agro-industia, infrastruktura, teknologjia e informacionit, bioteknologjia, kërkimi shkencor, turizmi, etj.

Nga ana e tij, Presidenti i Shtetit të Izraelit, Shimon Peres, pasi vlerësoi pjesëmarrjen për herë të dytë të Presidentit Topi në Konferencën e katërt Presidenciale në Jeruzalem, vuri në dukje se Shqipëria është një vend mik dhe lidhjet tradicionale midis dy vendeve janë të vjetra e të konsoliduara duke bërë që edhe marrëdhëniet bilaterale të jenë shumë të mira. Kreu i Shtetit të Izraelit theksoi se “roli i Presidentit Topi si simbol i bashkimit të popullit dhe kontributi i tij pozitiv e moderator për tranformimin dhe arritjet e Shqipërisë janë për t’u admiruar dhe vlerësuar".

Presidenti Peres theksoi se Izraeli e vlerëson gjithashtu edhe mbështetjen që Shqipëria me politikën e saj të jashtme dhe qëndrimet e saj parimore i ka dhënë në kuadër të organizatave ndërkombëtare si edhe rolin e saj moderues dhe aktiv në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë.

Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen për ftesën dhe mikpritjen në kuadër të Konferencës së katërt Presidenciale, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira bilaterale mes dy vendeve dhe shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik duke vënë në dukje klimën e favorshme që ekziston në Shqipëri për tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë pikë Presidenti izraelit Shimon Peres u shpreh se: "Inkurajon investitorët izraelitë të rrisin praninë e tyre dhe të shikojnë mundësitë për investime në Shqipëri".

Presidenti Topi gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e katërt presidenciale në Jeruzalem, me ftesë të Presidentit izraelit Shimon Peres, u takua edhe me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, zotin Toni Blejr, me ish-sekretarin amerikan të Shtetit. Dr. Henri Kisinger, si dhe me Presidentin kroat, Ivo Josipoviç.

KOMENTE