Qeveria gjermane reagoi e lehtësuar për rezultatin e zgjedhjeve në Greqi. Por ajo këmbëngul në respektimin e kushteve të kredive. Athina dëshiron që kushtet të diskutohen edhe një herë. Pas suksesit në zgjedhje të konservatorëve, Angela Merkel mori në telefon shefin e tyre Antonis Samaras për ta uruar. Me këtë rast, thuhet në zyrën e kancelares, ajo ka shprehur shpresat se Greqia do t`i përmbahet detyrimeve evropiane. Urimet e vërteta tingëllojnë ndryshe. Dhe ato as nuk janë të tilla. Fitorja e Antonis Samaras-it nuk ka për Berlinin arsye për t'u gëzuar, por është e keqja më e vogël.
Kundër Tsipras-it por edhe për Samaras-in
Angela Merkel ka përsëritur shpesh moton e saj, se politika evropiane është politikë e brendshme. Megjithatë është hera e parë, ku ajo përpiqet shumë që të ndikojë vendimin që merret në zgjedhje në një vend anëtar të BE-së. "Zgjedhje vendimtare për qëndrimin e Greqisë në zonën e Euros" ose "orë vendimtare për euron", me këto karakterizime politikanët qeveritarë në Berlin donin të ndikonin mbi grekët në kuadër të zgjedhjeve. Mesazhi ishte i qartë: Fitorja e aleancës së majtë Syriza do ta nxjerrë Greqinë nga zona e euros. Për të vënë theksin mbi seriozitetin e gjendjes kancelarja gjermane e shtyu në ditën e zgjedhjeve greke për në mesnatë udhëtimin e saj për në Meksiko.
Dhe presioni nga jashtë nuk mbeti pa efekte në Greqi: Koservatorët e Nea Dimokratia-s arritën me gati 30 përqind më shumë vota se Syriza, kësisoj partia konservatore do të arrijë së bashku me PASOK-un socialist që të krijojë një qeveri.
Paralajmërime nga Gjermania
Në deklaratën e tij të parë të bërë në greqisht dhe anglisht, Antonis Samaras tha se vendi i tij do t'i përmbushë të gjitha detyrimet dhe se nuk "do të ketë më aventura". Kjo i shihet Samarasit direkt e lidhur me Berlinin. Ajo që nuk harrohet është qëndrimi refuzues i Samarasit kundrejt masave reformuese dhe kursimeve, të lidhura me paketën e kredive. Merkel "i është lutur", thuhet në bisedimet në prapaskenë, që të aprovojë paktet e lidhura me qeverinë e PASOK-ut. Më kot. Vetëm kur Greqia u ndodh vërtet në buzë të greminës dhe Samarasi pati frikë se kjo do të kthehej në akuzë kundër tij, dha aprovimin. I nxitur nga ambicia që të bëhet kryeministër, ai i dha shtysë fundit të shpejtë të qeverisë së përkohshme të Lukas Papademos-it, e cila gëzoi emër të mirë tek partnerët evropianë.
Kryeministri Samaras, duhet të bëhet mjeshtër i ruajtjes së ekuilibrit midis shpresave greke dhe atyre evropiane. Në fushatën elektorale ai u premtoi zgjedhësve grekë se mund të përfaqësojë më mirë interesat e tyre në Bruksel, duke folur për bisedime të reja për kushtet e kredive. Nëse do ta mbajë këtë premtim duke qenë kryeministër pritet të shihet. Sidoqoftë ai i ka zgjuar shpresat tek popullsia greke për më pak ngarkesë, më shumë zhvillim dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Pikërisht këtu është themra e Akilit të një qeverie të Samaras-it. Në bazë të ligjit grek të zgjedhjeve, qeveria do të ketë shumicën parlamentare, por jo pjesën më të madhe të shoqërisë. Kështu që pritet që Syriza të përpiqet të mobilizojë rritjen e pakënaqësisë kundër vendimeve për kursime. Nëse Samaras do të mbajë qëndrim të kundërt, atëherë duhet të arrijë të marrë lëshime nga kredidhënësit. Mënyra se si Samarasi i ka ndjekur deri tani interesat e veta, shihet me shqetësim nga Berlini. Faktin, që me Samarasin nuk janë arritur shumë gjëra në të kaluarën, një anëtar i qeverisë gjermane e komenton: "Me të është sikur të kapësh demin prej brirësh".
(shqipëria natyrale)