Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi një vizitë njëditore në Bruksel ku u takua me përfaqësues të lartë të Mbretërisë së Belgjikës, Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.
Takimi i parë i zotit Rama ishte me Kryeministrin belg, Elio di Rupo. Temat kryesore ku u përqëndrua biseda ishin sfidat e të majtës në Europë, si edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë. Zoti Rama e garantoi Kryeministrin belg mbi vullnetin e Partisë Socialiste për të kontribuar maksimalisht në marrjen sa më të shpejt të Shqipërisë të statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij Kryeministri belg theksoi nga njëra anë faktin se Shqipëria i takon Familjes Europiane, por nga ana tjetër edhe nevojën për të kryer disa reforma të rëndësishme si atë zgjedhore, parlamentare dhe reformat në drejtësi.
· Kryeministri belg Di Rupo: Rama mbron kandidaturën e Shqipërisë në BE
Kryeministrit belg Elio di Rupo në intervistën e dhënë për mediat në Bruksel u shpreh se Kryetari i PS mbron kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e statusit, por vendi duhet të kryejë reformat e kërkuar nga Familja Europiane.
Më poshtë intervista për mediat në Bruksel e Kryeministrit belg z.Elio di Rupo:
Cili është qëndrimi i Belgjikës në lidhje me reformat demokratike në Shqipëri, a do ta mbështesë Belgjika kërkesën për aderim ne BE të Shqipërisë?
Kryeministri belg Di Rupo: Fati i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe për këtë nuk ka dyshime, por Komisioni Europian ka bërë një analizë shumë të hollësishme të situatës së brendshme të Shqipërisë dhe Shqipëria duhet të respektojë zbatimin e ligjeve dhe duhet ta bëjë në mënyrë që të ndryshojë disa sisteme; duhet që transparenca për shembull në procesin elektoral të jetë e padiskutueshme; duhet që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt që nga momenti i parë deri tek rezultati përfundimtar që çdo gjë është korrekte dhe transparente dhe të mos kenë dyshime në këtë drejtim. Është po ashtu edhe reforma parlamentare, si parlamenti mund të kontrollojë qeverinë pasi në demokracitë moderne është parlamenti që kontrollon qeverinë dhe jo qeveria parlamentin. Pra, fati i Shqipërisë është në Europë, por Komisioni e ka thënë (është edhe këndvështrimi belg) që këto reforma të brendshme të kryhen, dhe nëse këto ndryshime, transparenca, zbatimi i ligjit nuk realizohen, atëherë është e qartë që do të ketë vonesë për të hyrë në Bashkimin Europian. Ashtu siç tha edhe kryetari i Partisë Socialiste, që mbron kandidaturën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të gjithë duan ta ndihmojnë këtë hyrje, por duhet absolutisht të bëhen reformat e kërkuara.
A mendoni se Shqipëria e meriton mbështetjen e Belgjikës për statusin e saj?
Kryeministri belg Di Rupo: Po, por duhet të dëgjohet mirë ajo çfarë ne themi. Nuk shkohet në Bashkimin Europian sikur po shëtit në pyll, ka kushte, kushte dhe rregulla themelore që duhen respektuar siç janë transparenca, demokracia, pavarësia e gjyqësorit, si dhe fakti që parlamenti është institucioni më i lartë që kontrollon qeverinë. Shkurt, nuk mund të hyhet në BE sikur po shëtisim në një lëndinë. Ne jemi pro për atë që të mund ta bëjmë që Shqipëria të jetë pjesëtare në BE, ne mendojmë që destinacioni i vendeve ballkanike është në gjirin e Bashkimit Europian, por duhen kryer përpjekjet e domosdoshme, ashtu si edhe vendet e tjera, të garantohet transparenca dhe ndarja e pushteteve.
Mendoni se ka probleme me ndarjen e pushteteve?
Kryeministri belg Di Rupo: Nuk jam unë që e mendoj, por është Komisioni që ka bërë një raport. Komisioni është shumë i qartë në këtë drejtim mjafton ta lexoni dhe të zbatoni atë çfarë thotë dhe do të shihni që shpejtësia e hyrjes së Shqipërisë në BE do jetë e lartë.”