Fjala e Presidentit Topi në Konferencën Presidenciale në Izrael:
I nderuar Shkëlqesia Juaj, Shimon Peres!
Të nderuar pjesëmarrës!
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Sot kam privilegjin e veçantë të jem këtu midis jush, në një vend historik, ku kanë jetuar dhe jetojnë njerëz me një aftësi shtetformuese, me një trashëgimi dhe kulturë të lashtë, të cilët kanë rrezatuar dhe do të vazhdojnë të rrezatojnë vlerat e tyre të pamohueshme në zhvillimin e shumanshëm botëror.
Që nga kohërat biblike e deri më sot, në këtë vend, kultivimi i feve dhe kulturave të ndryshme, herë në ngritje dhe herë në rënie, i ka kontribuar gjithnjë në mënyrë të pallogaritshme njerëzimit me prirjen e krijimit të një bote të re, të një jete më të mirë, në paqe, harmoni dhe miqësi.
Pasojat e krizave të ndryshme fetare, shpirtërore dhe përplasjes së civilizimit e të mendësive dhe, veçanërisht, krizës së tanishme ekonomike globale, me të drejtë shtrojnë para nesh pyetjen: “A do të thellohen më tej krizat, apo kapërcimi i tyre do t’i hapë rrugën përparimit të mëtejshëm”?
Historia ka treguar se në agim të ndryshimeve të mëdha, udhëheqësit politikë dhe elitat drejtuese kanë përcaktuar emergjencat, kanë identifikuar aktorët, kanë përkufizuar vlerat e domosdoshme shoqërore si dhe kanë përfytyruar institucionet. Në kohën e duhur, individë të mëdhenj e të ndjeshëm ndaj fatit dhe së ardhmes së njerëzimit, e kanë kuptuar mjaft mirë se politika duhet të mendojë e të veprojë edhe për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen dhe interesat e çastit.
Ne sot jemi të vetëdijshëm se politika nuk duhet të sprapset para zgjidhjes së problemeve dhe kapërcimit të sfidave të së ardhmes, ndryshe rrezikojmë të biem në rrjedhën e barbarisë dhe betejave shkatërrimtare, ku forcat e ndryshme do t’i kundërviheshin njëra-tjetrës.
Politika e cilitdo vend, me udhëheqësit e saj të guximshëm, të matur dhe largpamës, i ka të gjitha mundësitë që të identifikojë mjetet dhe burimet për ta bërë rendin botëror më të përsosur dhe në gjendje që të prodhojë pasuri më mirë dhe më shumë se deri tani për njerëzimin, që të krijojë një hapësirë gjithnjë e më të gjerë për teknologjitë e reja me rendiment gjithnjë e më të madh.
Detyra kryesore e udhëheqësve politikë është puna me përkushtim si dhe përpunimi, në kuptimin e mire të fjalës, i opinionit publik për të bërë të mundur çdo gjë që, politikisht, sot mund të duket sikur është e pamundur. Në politikë, ashtu si në ekonomi, udhëheqësit të cilët nuk përballen me konkurrencën dhe që nuk i nënshtrohen rotacionit demokratik, ndihen të vetëkënaqur.
Është pikërisht kjo vetëkënaqësi arsyeja kryesore që ata venë në dyshim qëllimet e tyre dhe për të cilën ata nuk përshtaten dot me zhvillimet e reja që sjell globalizimi dhe për rrjedhojë, nuk përmbushin e kënaqin dot as interesat dhe aspiratat më minimale të popujve që përfaqësojnë.
Historia ka dëshmuar se ekonomia e tregut dhe demokracia me rregullat dhe parimet e saj të patjetërsueshme ngrihen mbi organizimin e konkurrencës. Kur kostot e prodhimit rriten, kur pagat dhe inflacioni rritet, kur përqindjet e produktivitetit ulen dhe kur vizioni i së ardhmes nuk është i qartë, kurba e kërkesës varet tëposhtë, investimi ndalet, papunësia kap majat, proteksionizmi dhe konkurrenca e pandershme ringjallen, dhe liria e të drejtat themeltare të njeriut kufizohen gjithnjë e më shumë.
Papunësia dhe pabarazia mund të minojnë arritjet e vërteta të ekonomisë së tregut, me anë të mbjelljes së farave të paqëndrueshmërisë. Në shumë vende, mungesa e mundësisë ekonomike mund të çojë në veprimtari joproduktive, paqëndrushmëri politike, madje edhe në konflikt.
Për arsye se rritja ekonomike, në përgjithësi rrethohet e pasohet edhe nga tensione të theksuara e të panevojshme shoqërore, nganjëherë kjo rritje nuk është edhe aq e favorshme për qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare. Të paktën në vendet e përparuara rritja ekonomike po krijon pak vende pune. Shumë njerëz, në shumë vende, po përballen me krizën sociale që çdo lloj i saj është aq serioz sa dhe kriza ekonomike globale.
Papunësia është në nivele rekord. Kriza hodhi jashtë nga puna 30 milion njerëz. Vetëm në Evropë janë 17 milion të papunë, ndërsa sot në të gjithë botën mbi 200 milion njerëz janë duke kërkuar punë.
Për këtë arsye, pothuajse të gjithë analistët e disiplinave shoqërore e krahasojnë krizën e tanishme botërore si më tronditësen pas “Krizës së Madhe” të viteve ‘30-të, por, globalizimi ka dëshmuar me fakte se është një fenomen zhvillues ekonomik dhe politik i kohës tonë, për arsye se mbrapa tij qëndrojnë kostot e zvogëluara të komunikacionit dhe transportit, si dhe lëvizja mbarëbotërore drejt ekonomisë liberale të tregut dhe mundësisë së përfshirjes me vullnet të lirë të miliarda njerëzve në ekonominë botërore për herë të parë.
Kostot e transportit dhe komunikacionit, revolucioni i liberalizimit global të tre dekadave të fundit, ngritja e Azisë dhe hyrja e miliarda njerëzve në ekonominë e tregut botëror, të tre bashkë, po e transformojnë botën. Megjithatë, mbetet kërcënimi i frikës nga globalizimi, paqëndrueshmëria makroekonomike, pamjaftueshmëria e burimeve dhe tensioneve gjeo-politike.
Globalizimi ofron një potencial shumë të madh për përparimin ekonomik, sepse udhëhiqet nga forca ekonomike dhe politike të fuqishme, që kanë pasoja të fuqishme ekonomike dhe politike. Globalizimi është një proces i pakthyeshëm, edhe pse për shkak të dy Luftërave Botërore dhe rënieve ekonomike, është ndalur kohët e fundit, por si gjithnjë do të jenë udhëheqësit e guximshëm ata, të cilët me idetë dhe largpamësinë e tyre do t’i japin botës dhe mbarë njerëzimit një zgjidhje të merituar.
Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ribalancimin global, që shumë tregje emergjente të zhvendosen drejt kërkesës së brendshme, ndryshe do të mungojë rritja ekonomike globale. Sfida që kemi përpara ndikon si vendet e përparuara, ashtu dhe ato në zhvillim dhe në tranzicion.
Unë shpreh besimin se udhëheqësit e guximshëm, të matur dhe largpamës ashtu si kapitenët e anijeve, që pavarësisht se përparësi kanë të drejtën e komandimit nuk do ta përdorin këtë privilegj vetëm në shërbim të anijeve të tyre, por do ta drejtojnë të gjithë vargun anijeve të ekonomisë globale në stuhinë e krizës ekonomike globale përmes shkëmbinjve për t’i shërbyer gjithë njerëzimit.
Ju faleminderit!