Dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje është vendosmëri e administratës së Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga zoti Basha. Bashkia e Tiranës beson fuqimisht se në këtë mënyrë projektet dhe vendimet e saj do të jenë ato të duhurat për qytetarët dhe do të mundësojnë arritjen e objektivit për përmirësimin e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë.
Duke nisur nga data 05.08.2011 deri në datë 15.06.2012, vetëm Kryetari i Bashkisë ka realizuar 41 takime (çdo ditë të premte), gjatë të cilave janë pritur në total 786 qytetarë.
Nisur nga vlerësimi i kërkesave për takim, rezulton se qytetarët gjatë këtyre takimeve kanë trajtuar kryesisht çështje të cilat kanë lidhje me punësimin, strehimin, ndërtimet pa leje, çështje pronësie, shqetësime komunitare (si: shtim të hapësirave të gjelbra, përmirësim i shërbimit në transportin urban, sistemim rrugësh, sistemim rrjeti kanalizimesh, shtimi qendrave të përkujdesit social sipas kategorive të interesuara ose në nevojë), si dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura të Bashkisë së Tiranës.
Të gjitha çështjet e diskutuara gjatë këtyre takimeve janë përcjellë në drejtoritë përgjegjëse, sipas rekomandimeve përkatëse të Kryetarit të Bashkisë. Deri tani rezulton se 591 kërkesa (75%) kanë marrë përgjigje nga strukturat përkatëse, ndërsa 195 kërkesa (25%) janë në trajtim.
Po kështu, drejtorët e Bashkisë i kushtojnë qytetarëve 2 orë në javë, duke qenë në dispozicion të tyre për të diskutuar për shqetësimet që ata kanë.
Komunikimi përmes facebook-ut, letrave dhe e-mail drejtuar kryetarit, janë një mundësi e mirë për të dëgjuar zërin e qytetarit dhe adresuar drejt projektet në funksion të zgjidhjes së shqetësimeve të tyre
56,959 qytetarë/subjekte është numri total i qytetarëve që i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës për të marrë informacione, kryer aplikime, etj;
49,173 qytetarë/subjekte kanë vizituar sportelet e Sektorit të Komunikimit dhe Pritjes së Qytetarit;
4,691 qytetarë kanë telefonuar në numrin e gjelbërt 0800 0888;
1,645 qytetarë/subjekte kanë dërguar kërkesat/ankesat e tyre nëpërmjet shërbimit postar;
695 qytetarë kanë hedhur ankesën/kërkesën e tyre në Kutinë Postare të Kryetarit;
755 qytetarë kanë dërguar e-mail në adresat elektronike info@tirana.gov.al; posta@tirana.gov.al;
17,924 qytetarë/subjekte kanë bërë aplikime me shkrim (gusht 2011-prill 2012)
16,192 qytetarë/subjekte kanë marrë përgjigje për aplikimet me shkrim (gusht 2011-prill 2012)
Kryetari i Bashkisë së Tiranës konsultoi buxhetin me banorë të 11 njësive vendore ku u morën prej tyre mendime dhe sygjerime shumë të vlefshme të cilat u bënë pjesë e financimeve nga Buxheti i Bashkisë.
Për rreth një muaj, 3000 qytetarë kanë vizituar maketet për Bulevardin e ri dhe Lumin e Tiranës dhe dhanë me shkrim opinionet, pyetjet dhe sygjerimet e tyre për projektin e Bulevardit të ri dhe Lumit të Tiranës.
Po kështu në muajin korrik nisin konsultimet me qytetarët dhe grupet e interesit për Planin e ri Urbanistik të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka vendosur që këto konsultime të zgjasin deri në muajin shtator në mënyrë që çdo qytetar të këtë mundësi të japë mendimin e tij.
Një rubrikë funksionon në faqen zyrtare të Bashkisë, “Rregulloj qytetin tim” ku çdo qytetar i Tiranës mund të shprehë shqetësimin për problemin që has në rrugën apo në lagjen e tij.