Që këtej e tutje banorët e Bashkisë Kamzë do të kenë ujë të pijshëm rregullisht dhe nuk është më nevoja as ta blenë apo ta mbartin nga ndonjë vend tjetër.
25 mijë banorët e Kodër - Kamzës do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm. Me një investim prej 60 milionë lekësh, të kryer nga UKT është zgjidhur furnizimi me ujë 24 orë, për zonën e Kodër - Kamzës. Në këtë zonë janë shtruar 2 km linjë transmetimi, 20 km rrjet shpërndarës dhe janë vendosur 2000 matësa të rinj uji. Në përfundim të punimeve për këtë ujësjellës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha tha se kjo është një tjetër dëshmi, se Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësitë e saj, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Plani për të vendosur, për të shtrirë rrjetin e ujësjellësit në të gjithë Tiranën po ecën sipas parashikimit. Në një kohë fare të shkurtër, kemi arritur t’u sjellim ujin më shumë se 60 mijë banorëve të Tiranës, 25 mijë këtu në zonën e Kodër Kamzës, 35 mijë në zonën e Kodrës së Priftit dhe lagjeve përreth. Do të vazhdojmë me zonën e Bregut të Lumit për 5 mijë banorë të tjerë, po të minibashkisë nr.11 dhe më pas me 5 mijë banorë të tjerë përballë Kodrës së Priftit, ndërkohë që projektet po bëhen gati për të ndërhyrë në zonat e reja të minibashkisë 4 dhe 8, pranë Bregut të Lumit, tek fusha e “Misto Mames” dhe në Selitë. Plani është që brenda pranverës së vitit të ardhshëm, 100% e territorit të Bashkisë së Tiranës dhe territorit të Tiranës metropolitane, të tilla siç janë edhe pallatet përtej Unazës së Re, ku banojnë qytetarë të Tiranës po në territorin e Kasharit, të furnizohen 24 orë me ujë nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës” – u shpreh Kreu i Bashkisë z. Lulzim Basha.
Zoti Basha bëri të ditur se së shpejti në këtë minibashki, nis puna për investimet e parashikuara në buxhet, ku përfshihen 3 rrugë, dy shkolla, 3 kopshte, 2 çerdhe dhe një bllok banimi.
“Si në çdo punë të mirëplanifikuar, puna fillon nga nëntoka dhe pataj vazhdon me shtresat mbitokësore të infrastrukturës, që në këtë rast është asfaltimi dhe ku është e mundur trotuarët dhe ndriçimi. Në lagjen ku ndodhemi (minibashkia nr.11), kemi parashikuar për këtë vit në buxhet, jemi në proces të hapjes së investimeve për një numër segmentesh rrugore, me gjatësi totale prej 3 km, dy shkolla, 3 kopshte, 2 çerdhe dhe një bllok banimi i cili do i nënshtrohet një rikualifikimi urban, pra jo vetëm ndërhyrje në infrastrukturë, por në të gjithë komponentët e tjerë si dhe dy kolektorë të ujrave të zeza, të cilët po kështu do të zgjidhin probleme të mprehta të higjenës dhe infrastrukturës për minibashkinë 11. E njëjta gjë vlen kudo ku ndërtohet sot infrastruktura nëntokësore. Nuk do të mbetet me kaq por do të vazhdohet me asfaltimin dhe arritjen e parametrave bashkëkohorë në të gjithë lagjet e Tiranës” – theksoi Kryebashkiaku Basha.