English

Ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës nis të premten

Derisa të vijë dita për një rregullim të përhershëm, do të gjendet vetëm një zgjidhje e përkohshme.

Duke filluar nga dita e premte do të fillojnë të bëhen disa punime te rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë pasi është një ndër pikat kryesore të hyrjes në Tiranë dhe jo shumë rrallë atje krijohet një bllokim trafiku marramendës.

Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës znj. Nereida Hoxha ka sqaruar, lidhur me ndërhyrjen e planifikuar nga Bashkia e Tiranës në rrethrrotullimin e Doganës.

“Bashkia e Tiranës është e vendosur të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ndër këto hapa është edhe ndërhyrja emergjente, në rrethrrotullimin e Doganës, i cili sot vuan nga bllokime të shpeshta të trafikut, si pasojë e shtimit të fluksit të mjeteve (rreth 25 000 mjete në ditë) gjeometrisë jo funksionale si dhe ndalesave pa kriter të mjeteve, në brendësi të tij.

Derisa të arrijmë në zgjidhjen më të mirë, që është kryqëzim me disnivele, Bashkia e Tiranës duke filluar nga dita e premte, do të nisë punën për të realizuar një zgjidhje afatshkurtër dhe efikase, risistemimin e korsive të këtij rrethrrotullimi. Kjo ndërhyrje konsiston në shtimin e korsive djathtas, me gjerësi 5 metra, ndërtimin e trotuarëve me gjerësi 3 metra si dhe rritjen e sigurisë së kalimit të këmbësorëve, duke ndërtuar kangjellat mbrojtëse dhe për disiplinimin e tyre në kalimet në vijat e bardha. Gjithashtu, do të pajiset me sinjalistikë vertikale, horizontale dhe informuese, si në brendësi të tij, ashtu edhe jashtë rrethrrotullimit. Do të ndalohet qëndrimi i të gjithë mjeteve, 150 metra në çdo drejtim hyrës-dalës dhe përpunimi i çdo pasagjeri nga çdo mjet, 100 metra nga diametri i jashtëm.

Me këto ndërhyrje synojmë të lehtësojmë trafikun, ulim kostot e transportit, duke shkurtuar kohën e udhëtimit, duke reduktuar nivelin e ndotjes në qytet. Me këto punime, skema e qarkullimit nuk do të ndryshojë, sepse pjesa më e madhe e tyre do të kryhet jashtë orëve të pikut si dhe gjatë natës. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së punimeve, (që do të jetë 45 ditë) do të jetë e pranishme Policia Rrugore dhe ajo Bashkiake të cilat do të ndihmojnë dhe asistojnë përdoruesit e këtij rrethrrotullimi.”

KOMENTE