English

Përkrahja e Gjermanisë, rëndësi e posaçme për progresin e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim Marieluise Beck, anëtare e Bundestagut gjerman nga Partia e Gjelbër dhe anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme.

Ministri Hoxhaj e ka falënderuar znj. Beck për përkrahjen dhjetëra vjeçare për Kosovën,duke filluar që nga mbështetja e fuqishme e aspiratës së popullit të Kosovës për liri gjatë viteve të 90-ta, ndihmën e dhënë për Kosovën në ditët më të vështira të saj gjatë luftës si dhe në proceset aktuale të shtetndërtimit.

Hoxhaj ka njoftuar znj. Beck për progresin që po arrihet në Kosovë, avancimin e proceseve të brendshme dhe forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt, Hoxhaj ka vlerësuar rëndësinë e posaçme që ka për Kosovën dhe qytetarët e saj mbështetja e Gjermanisë si një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

Hoxhaj ka folur edhe për perspektivën dhe hapat konkretë të Kosovës në proceset integruese në evropiane, duke falënderuar të gjitha institucionet gjermane për përkrahjen e fuqishme që po i japin Kosovës në këtë drejtim.

Në anën tjetër, anëtarja e Bundestagut gjerman, Marieluise Beck, ka thënë se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm brenda Parlamentit gjerman në mbështetje të perspektivës euroatlantike të Kosovës.

Beck ka vlerësuar progresin që po shënohet në Kosovë duke shprehur besimin e saj në avancimin e mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar dhe proceseve të tjera shtetndërtuese të Kosovës.

KOMENTE