Bujar Nishani u zgjodh me votat e mazhorancës, President i Republikës së Shqipërisë. Ashtu si pesë vite më parë kur në këtë post u zgjodh Bamir Topi, Partia Demokratike organizoi një darkë te “Sofra e Ariut” për fituesin. Rreth orës 20.30 minuta kanë ngjitur shkallët thuajse të gjithë deputetët dhe drejtuesit e partive aleate në qeverisje. Darka e mbrëmshme, përveçse nuk përcolli ndonjë lajm politik, konfirmoi se mazhoranca mbetet solide. Të ftuarit Në tavolinën kryesore të mbrëmjes ishin kryeministri Sali Berisha, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, nënkryetari Astrit Patozi, presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, deputetët e LSI-së si dhe tre ministrat e saj në qeveri, Nasip Naco, Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto.
Të ftuar edhe vokalistë nga TKOB, valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilave iu bashkua edhe zëri i deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo. Valle çame, të cilat u shoqëruan nga kërcimi i pandërprerë i deputetit të PDIU-së, Dashamir Tahiri, apo edhe vallja tropojane bëri të ngrihen në këmbë rreth 30 deputetët e ftuar për të kërcyer. Ku munguan krerët më të lartë ‘seriozë’ të vendit. Pak minuta formalitet, fjalën përshëndetëse të kryeministrit Sali Berisha, – i cili ngriti një dolli për koalicionin, dhe më pas fjalën e presidentit të zgjedhur Bujar Nishani. Kryeministri falënderoi të gjithë deputetët që votuan kandidatin e shumicës, për kontributin e dhënë gjatë këtij procesi. “Mirënjohje për të gjithë punën tuaj gjatë zgjedhjes së Presidentit, të gjithëve juve pa përjashtim. Ishte një bashkëpunim i suksesshëm, që e bëri vendin me Presidentin e ri”, mësohet të jetë shprehur z.Berisha. Më pas, fjalën e ka marrë Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani. “Unë ju jam mirënjohës të gjithëve juve që më besuat në postin më të lartë të vendit. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi bashkëpunim të ngushtë së bashku. Ju do të jeni miqtë e mi edhe kur të jem gjatë presidencës”, – është shprehur Nishani.
Deputetët e mazhorancës kanë qenë në një mendje mbrëmë se Partia Demokratike ishte treguar dorëlëshuar me menynë e servirur dje nga ‘Sofra e Ariut’. Një meny e pasur, e shoqëruar me verën shqiptare “Skënderbeu”, ndërkohë që e sigurt është se në darkën disaorëshe nuk janë servirur ngjala.
Rreth orës 22:30 është shërbyer edhe ëmbëlsira e darkës.
Në darkë mungonin Mehdiu dhe Idrizi. Mehdiu nuk ishte pasi merrte pjesë në samitin e G20 në Meksikë ndërsa Idrizi ndodhej në Vjenë për arsye familjare.