English

Ligji i ri për arsimin miratohet në Kuvend me unanimitet të plotë

Është miratuar si rrallë herë më parë me unanimitet të plotë me 116 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim Ligji i ri për Arsimin i cili ka si synim rritjen në cilësinë e mësimdhënies, autonominë e depolitizimin e shkollave.

Por kritikat nuk janë ndalur përsëri nga ana e opozitës duke u shprehur se gjendja aktuale e arsimit, korrupsioni mbi tekstet, cilësia, janë në gjendje të mjerueshme. Ndërkohë maxhoranca i hodhi poshtë.

Replika të ndryshme u zhvilluan gjatë kësaj seance të kuvendit.

"Korrupsioni me tekstet vjen për shkak të klientelizmit. Për fat të keq klientelizmi është ngritur në sistem në arsim", tha Valentina Leskaj, deputete e PS, kryetare e komisionit të Medias.

"Alterteksti në fakt e theu monopolinë e teksteve në Shqipëri, dhe këtë ju e dini mirë. Sot në tregun e teksteve shkollore janë mbi 22 ente botuese",tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

"Ne ju ballafaqojmë me gjendjen ku mbi 10 përqind e shkollave dhe kopshteve private punojnë pa marr as fare licencë krejt jashtë kontrollit tuaj. 15 në Tiranë", u shpreh Ledi Shamku, deputete e PS-së.

"Nuk ka shkollë që nxjerr nxënësit në klasën e nëntë në provim pa licencë, dhe nuk ka shkollë që i çon nxënësit në maturë. Nuk ka asnjë shkollë pa licencë", tha ministri Tafaj.

Për kundërshtimet për nen të draftit lindën edhe brenda vetë maxhorancës. Deputeti Fatos Beja votoi kundër nenit që nuk kufizonte numrin e teksteve në shkolla.

"Mos të biem në kurthin e këtyre propozimeve të cilat mbrojnë vetëm interesa individuale në kurriz të nxënësve shqiptar", tha Fatos Beja, deputet i PD, ish ministër i Arsimit.

"Një komision i tërë nuk mund të ketë interesa, kurse një individ mund të ketë interesa", tha Mark Marku, deputet i PD-së.

”Për 2009-10, shtëpia botuese 55 ka furnizuar më shumë se gjysmat e veprave në bibliotekat e Elbasanit dhe Korçës. Janë libra me autor Fahri Balliun, librai si “Panteoni i Zi”, “Zonja e zezë Nexhmia Hoxha”, “Berisha përmes kasandrave”. Po mir o Zoti Ministër, a do t’ia jepje fëmijëve të tu këto libra për t’i lexuar”, deklaroi deputeti socialist, Erjon Braçe.

Por për maxhorancën ligji ka funksionuar që në 2009 dhe ndryshimet e fundit synojnë përmirësim të tij dhe përshtatje me legjislacionin europian.

KOMENTE