English

Shkollat profesionale piksynimi ynë për këtë vit, shprehete ministri Tafaj

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, zhvilloi para disa ditësh një takim me drejtorë të drejtorive arsimore rajonale, si dhe drejtues të shkollave profesionale në vend. Në fjalën e tij, ministri Tafaj, theksoi se arsimi profesional mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe qeverisë shqiptare. Kjo reflektohet dhe me rritjen në tre vitet e fundit me 12-13 për qind të regjistrimeve ku një faktor me peshë ka qenë dhe hapja e degëve të reja afërsisht 60 profile, ndërsa këtë vit presim një rritje të regjistrimeve prej 20 përqind.
Ministri Tafaj nënvizoi se dy javët e fundit të këtij viti shkollor për arsimin bazë duhen shfrytëzuar për të informuar edhe njëherë prindërit dhe nxënësit dhe për t'i ftuar të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale.
Ministri Tafaj u shpreh se këtë vit hyjnë në funksionim të plotë 5 shkolla të reja të ndërtuara në kuadër të program të BE-së, IPA, që së bashku sjellin një rritje të kapaciteve për rreth 2500 nxënës. Tafaj theksoi se në shkollat e arsimit të mesëm professional, janë përmirësuar dukshëm kapacitetet përsa i takon laboratoreve dhe bazës didaktike me fondet e IPA-s në një sërë shkollash të mesme, si dhe investimeve të tjera që po bëhen për krijimin e portalit të arsimit të mesëm profesional.
Përvoja e krijuar vitin e kaluar me hapjen e programeve për arsimin professional me kohë të pjesshme duhet të thellohet më tej në të gjitha shkollat e mëdha të vendit. Kjo është një mundësi shumë e madhe për shumë të rinj, të cilët, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë vijuar arsimin e mesëm pas përfundimit të arsimit të detyruar. Ministria do të mbështesë shkollat me personel dhe kapacitete të tjera për të zgjeruar ofertën e shkollave profesionale, në interes të aftësimit të të rinjve për punësim.

Ministri Tafaj, tha se do të rriten bursat nga qeveria për nxënësit në arsimin e mesëm professional. Nxënësit konviktorë të 16 rretheve të vendit përfitojnë bursa për të gjitha degët, pavarësisht nga të ardhurat. Gjithashtu, grupet e autorëve po punojnë për përkthimin dhe përshtatjen e teksteve të huaja dhe për të hartimin e teksteve të reja.
Ministri Tafaj theksoi se zhvillime të reja që vijnë në fushën e arsimit professional kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit të ri të arsimit profesional, ku një ndër më të rëndësishmit është krijimi i bordeve të shkollave. Në muajin shtator me fillimin e vitit të ri shkollor do të ngrihen bordet në të gjitha shkollat e mesme profesionale, që do të kryesohen nga një përfaqësues i biznesit privat që lidhet me drejtimet, profilet dhe degët që ofron shkolla në fjalë.

KOMENTE