English

Berisha takon të rinjtë e Qendrës së Djathtë Evropiane (DEMYC)

Kryeministri Berisha priti paraditen e sotme, një grup të rinjsh të qendrës së djathtë evropiane, DEMYC (Democrat Youth Community of Europe), të cilët ndodhen në Tiranë për marrë pjesë në konferencën 4 ditore me temë “Një Evropë më e madhe, për një Europë më të fortë”, të organizuar në bashkëpunim me Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

DEMYC është një rrjet ndërkombëtar të lëvizjeve rinore evropiane dhe konservatore të krishterë Demokrate (qendra e Djathtë). Përmes organizatave të saj ajo ka më shumë se një milion anëtarë dhe është një nga strukturat rinore më të forta në Evropë, aktive që nga viti 1964. DEMYC ka mbajtur që nga viti 1973 statusin e organizatës konsultative në Këshillin e Evropës.

Në nisje të takimit, i cili u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, kryeministri Berisha i falënderoi të rinjtë që zgjodhën Shqipërinë për të zhvilluar aktivitetin e tyre, si dhe për temën e zgjedhur për këtë konferencë.

Duke e vlerësuar Evropën e bashkuar si idealin dhe vlerën më të madhe që Evropa ka krijuar në historinë e saj, Kryeministri bëri një panoramë të përgjithshme të sfidave me të cilat përballet sot Bashkimi Evropian dhe vendit që ze Shqipëria, në përpjekjet rajonale për integrim në BE.

Kryeministri iu prezantoi të rinjve evropianë, Shqipërinë, si vendi i potencialeve të pafundme zhvillimore, i cili çdo ditë e më shumë tërheq vëmendjen dhe interesin e investitorëve dhe sipërmarrjeve të huaja për të konsoliduar në këtë vend, histori të vërteta suksesi, si për investimet e tyre, ashtu edhe në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Berisha bëri një panoramë të përgjithshme të ekonomisë shqiptare, e cila ndonëse në kohë krize të përgjithshme rajonale e globale, ka gjetur format dhe mënyrat, jo vetëm për të qenë e qëndrueshme, por duke ruajtur rritjen e saj, ashtu si gjithë këto vitet e fundit.

Kryeministri i njohu ndër të tjera të rinjtë me projektet madhore të realizuara në vend, në fusha si ajo e infrastrukturës dhe energjetikes, të cilat e kanë ndryshuar dukshëm imazhin e Shqipërisë, duke e përafruar atë së tepërmi me një vend të standardeve evropiane. Në këtë kontekst, kryeministri tha se i gjithë universi i reformave të zbatuara nga qeveria shqiptare, synon drejt një projekti madhor për qeverinë shqiptare dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, atë të integrimit të vendit në BE.

Nga ana e tyre të rinjtë evropianë, të kryesuar nga Presidenti i DEMYC Antonio De Lucia, falenderuan kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe kohën e kushtuar atyre, duke e konsideruar këtë si një vlerësim për rolin dhe kontributin e të rinjve në jetën politike dhe sociale të vendit.

KOMENTE