Intervistë e Kryetarit të PS Edi Rama dhënë për televizionin Top-Channel
“Kjo është një veprimtari haptazi kriminale në dëm të publikut dhe të interesit publik. Unë dua ta bëj shumë të qartë që ne nuk do ta njohim këtë lotari kombëtare dhe ne do ia kthejmë publikut këtë të drejtë duke e vënë lotarinë kombëtare në dispozicioni të interesit publik. Është publiku që përmes shtetit duhet të përfitojë përqindjen e përmbysur të asaj që shprehu Ministri i Financave. Pra jo 10% për shtetin dhe 90% për privatizuesit, por 90, 85, 80% në rastin më të ulët për shtetin dhe pjesa tjetër për gjithë anën e operimit.
Kryeministrja Thatcher në Angli kur futi lotarinë kombëtare, e ktheu në një mekanizëm për nxitjen e arteve, sporteve dhe të politikave sociale, ashtu sikundër edhe në shumë vende të tjera është e njëjta logjikë. Ndërsa logjika që ka udhëhequr këtë tender është logjika e grabitjes së një të drejte të publikut në favor të një klientele të pushtetit.
Ajo çka i sugjeroj këtyre zotërinjve, që po shkojnë nga grabitja në grabitje dhe pasi kanë grabitur e vazhdojnë të grabisin pasuritë e patundshme, kanë hyrë në fushën e grabitjeve të të drejtave të publikut është që të mbajmë në konsideratë praktikat më të mira europiane, të mos harrojmë për asnjë moment që aty janë për të mirëqeverisur në funksion të publikut.”