Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në cilësinë edhe të Kryetarit të Shoqatës së Bashkive ka nënvizuar domosdoshmërinë e një reforme fiskale e cila do të mundësonte reduktimin e informalitetit, një mbledhje më të mirë të të ardhurave dhe shpërndarje të drejtë të tyre.
Në konferencën e organizuar nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, me temë: “Mbështetje për zhvillimin vendor”, zoti Basha theksoi se në shumë njësi të qeverisjes vendore lejohet informaliteti, duke u klasifikuar si biznese të vogla, edhe ato me xhiro më të madhe se sa ajo e përcakuar për bizneset e vogla, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë në arkën e bashkise apo komunës. Domosdoshmërinë e reformës fiskale, zoti Basha e ka bazuar edhe në faktin se ndonëse Tirana mbledh të ardhura më shumë se të gjithë njësitë e tjera vendore të Shqipërisë të marra sëbashku, prapë si përqindje për frymë, Tirana është disa herë më e varfër se Kashari, Farka apo të tjera njësi vendore rreth e qark Tiranës dhe një gjë e tillë ndodh edhe në bashki të tjera të mëdha.
“Është e domosdoshme të rishikojmë edhe njëherë sistemin aktual fiskal të pushtetit vendor, veçanërisht atë të mbledhjes së taksës së biznesit të vogël. Përvojat e Bashkimit Evropian tregojnë se jo çdo lloj decentralizimi funksionon dhe funksionon mirë për pushtetin vendor ndaj unë dua të bëj sot “avokatinë” publikisht dhe t’u kërkoj edhe në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të gjithë partnerëve tanë, aktorëve të pushtetit lokal, komunave, bashkive, qeverisë qendrore, përfaqësuar këtu nga zv/ministri i pushtetit lokal, Z.Poni, partnerëve tanë me përvojë në këtë drejtim, t’i futemi një reforme thelbësore për të rishikuar mënyrën se si mblidhen dhe shpërndahen të ardhurat për pushtetin vendor, me qëllim të luftojmë informalitetin pavarësisht nëse ndodhet në prag të hendekut 8 milionë, apo përtej hendekut 12 milionë dhe të bëjmë një shpërndarje të drejtë, të drejtë dhe të barazvlefshme (jo të barabartë) të të ardhurave për qytetarët tanë, pavarësisht se ku jetojnë, të jemi në gjendje që t’ i investojmë këto të ardhura, në raport me numrin e banorëve që përdorin facilitetet për të cilat ne investojmë, të jemi në gjendje të investojmë në mënyrë të barazvlefshme paratë e taksapaguesve për rrugët dhe jo një rrugë që rrihet nga 2000 qytetarë në ditë, të marrë të njëjtin investim si një rrugë që rrihet nga 20 mijë apo 30 a 40 mijë qytetarë në ditë dhe kjo është plotësisht e mundur dhe se ne nuk e konsiderojmë “tabu”, procesin e rikthimit tek një sistem më i centralizuar i mbledhjes së të ardhurave, me një formulë të ndarjes së këtyre të ardhurave midis pushtetit qendror dhe atij vendor, çka do të sjellë një efiçencë më të lartë, drejtësi më të madhe të shpërndarjes dhe një përdorim më të mirë të burimeve njerëzore të shumta, që edhe pushteti vendor sot ka në dispozicion, për të mbledhur këto të ardhura” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Zoti Basha, në fjalën e tij u ndal edhe tek nevoja për të rishikuar ndarjen administrative të vendit tonë, me qëllim një administrim më efiçent të territorit dhe një shërbim më të mirë për qytetarët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka nënvizuar se përfshirja e qytetarëve në vendimarrje, ka shumë rëndësi për orientim të drejtë të vendimarrjes, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit që pushteti vendor ofron. “Qytetarët nuk mund të kufizohen në vendimarrje një herë në katër vjet, sa herë ka zgjedhje”, - sipas Bashës. Në Bashkinë e Tiranës i është krijuar hapësira çdo qytetari, që zëri i tyre të dëgjohet dhe pikëpamjet e tyre të merren parasysh.
“Pikërisht në këtë kuadër dhe si pjesë e realizimit të angazhimit të Bashkisë së Tiranës për të qenë edhe më pranë qytetarëve, edhe më e hapur ndaj qytetarëve, ne kemi vendosur në funksion instrument të fuqishëm komunikimi dhe thithjes së mendimit qytetar, të cilët kanë kulmuar javët e findit me vënien në funksion, në faqen e Bashkisë së Tiranës të modulit apo aplikacionit “Rregulloj qytetin tim”, aplikacion i cili për herë të parë bën të mundur jo thjesht ndërveprimin midis qytetarit dhe Bashkisë, për raportimin e një problemi apo një kërkese, që nga një gropë në rrugë deri tek prania apo mosprania e punonjësve të Bashkisë apo sjellja dhe etika në komunikimin e tyre, por për të bërë të mundur që problematika të ndiqet në kohë reale, jo thjesht nga administrata apo drejtues të lartë të Bashkisë por edhe nga vetë qytetari. Jam i ndërgjegjshëm se kjo do të forcojë më tej ndërveprimin dhe për këtë qëllim, edhe besimin që qytetarët kanë dhe duhet të kenë tek njësitë e qeverisjes vendore por po kështu do të rrisë më tej volumin e komunikimit, i cili vetëm në këto 9 muaj ka arritur afro 60 000 qytetarë të Tiranës dhe kjo është një sfidë e madhe me të cilën ne duhet të përballemi dhe që kërkon jo vetëm orë pune por edhe profesionalizëm më të lartë nga ana e Bashkisë së Tiranës” – theksoi Kreu i Bashkisë z. Lulzim Basha.