Sot Kryeministri Berisha ndodhet në Strasburg ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që zhvillohet në Pallatin e Europës, në Strasburg.
Kjo vizitë bëhet në kuadrin e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kryeministri do t’i drejtohet Asamblesë me një fjalë, në të cilën do të flasë për drejtimet ku do të fokusohet presidenca shqiptare.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me Presidentin e Asamblesë Parlamentare, zotin Jean-Claude Mignon dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, zotin Thorbjørn Jagland.
Nga Strasburgu, Kryeministri Berisha do të niset për në Stamboll (Turqi), ku do të marrë pjesë të martën, më datë 26 qershor, në takimin e nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në të cilën Shqipëria aderon.
Iniciativa e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është themeluar në vitin 1992 dhe përfshin 11 vende anëtare: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve anëtare.