English

Llotaria kombëtare do t'i kthehet qytetarëve, shprehet Partia Socialiste

Partia Socialiste ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e saj në lidhje me skandalin më të fundit të qeverisë, përsa i përket LLotarisë Kombëtare, me anë të nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Deputeti Tahiri theksoi se grupi parlamentar socialist do të ndërmarrë të gjitha nismat ligjore për të ndaluar këtë skandal, por edhe të tjerë skandale si ai i linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Më poshtë prononcim për media i nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri:

Jam këtu për të rishprehur edhe njëherë shqetësimin serioz të Partisë Socialiste, në lidhje me skandalin më të fundit korruptiv të qeverisë së kryeministrit Berisha, në lidhje me Llotarinë Kombëtare.
Dua tju bëj me dije se llotaria kombëtare është monopol, por sikundër ndodh në të gjitha vendet europiane është monopol shtetëror me qëllim ripërdorim e të ardhurave për interes të publikut. Në vendin tonë kryeministri zgjodhi dhe ka zgjedhur që nga monopol shtetëror ta kthej në monopol të klientëve të tij të pushtetit.
Partia Socialiste është e angazhuar fuqimisht për ta denoncuar këtë skandal me të gjitha instrumentat, siç është e angazhuar që nesër në qeverisje të vendit të ndryshojmë projektligjin dhe të anullojmë licencën private të kryeministrit për llotarinë kombëtare, duke ja rikthyer shtetit dhe duke rikthyer njëkohësisht mundësinë që të ardhurat e përfituara nga llotaria kombëtare ti shkojnë publikut. Ne angazhohemi që të ardhurat që do përfitohen nesër nga llotaria kombëtare të përdoren për politikat rinore dhe për nxitjen e punësimit dhe gjithashtu të përdoren për politikat e sportit, rigjallërimin e sportit dhe konsolidimin e strukturës që do ti sillte të rinjve shqiptarë mundësi për tu punësuar dhe mundësi për të zhvilluar një jetë të qetë dhe të lumtur nëpërmjet aktiviteteve sportive.

Do të ketë një nisëm konkrete grupi parlamentar i PS?

Grupi parlamentar i PS do angazhohet me të gjitha instrumentat që njeh rregullorja në lidhje me denoncimin e llotarisë kombëtare. Do angazhohemi me të gjitha instrumentar duke përfshirë padyshim edhe komisionin hetimor. Më lejoni të them, jo vetëm për llotarinë kombëtare e cila kërkon një hetim parlamentar të gjithanshëm lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, ligj të cilin e ndryshoi Sali Berisha vetëm me qëllimin e vetëm për tja dhënë klientëve të pushtetit. Po pse jo do të angazhohemi për të hetuar në rrugë parlamentare edhe çështjen e interkonjeksionit edhe çështjen e pullave fiskale, të cilat janë po njëlloj skandale madhore të kësaj qeverie përsa i përket keqadministrimit të fondeve publike dhe ushtirmit të pushtetit.
Gjithashtu, jo vetëm kaq por jemi angazhuar të ndryshojmë ligjin për t'ja rikthyer, llotarinë kombëtare qytetarëve që të ndodhi siç ndodh në çdo vend europian. Ku operatori merr pjesën minimale të fitimit dhe publiku rimerr mbrapsht në disa vende 90%, në disa 80% të fitimit për tu përdorur për politikat sociale, për politikat e rinisë dhe politikat e sportit. Pra, nga njëra anë ne angazhohemi dhe angazhimi imediat është për të përdorur çdo rrugë parlamentare, qoftë edhe hetimin parlamentar për llotarinë sportive dhe për çështjet e tjera që ju thashë. Nga ana tjetër është angazhimi i Partisë Socialiste në programin e saj, për tja rikthyer të ardhurat që vijnë nga llotaria kombëtare qytetarëve shqiptarë, duke ja marrë monopolit privat të Sali Berishës.

KOMENTE