Gjatë vizitës në Strasburg, Kryeministri Berisha u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland.
Sekretari Jagland, ndërsa theksoi se fillimi i Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka qenë shumë i mbarë, i uroi Kryeministrit sukses të plotë në prioritetet e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave në muajt në vijim.
Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për pritjen e ngrohte e miqësore, theksoi se kjo është një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndihem shume i lumtur që ndodhem sot, këtu, si Kryeministër i Shqipërisë, i vendit që kryeson për here të parë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës.
Në takim u diskutuan zhvillimet politike në vend dhe ecuria e reformave. Në veçanti, Sekretari i Përgjithshëm Jagland u interesua për ecurinë e reformës zgjedhore. Kryeministri Berisha i bëri me dije Sekretarit Jagland angazhimin e plotë të qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën në reformat. Kryeministri shprehu besimin dhe angazhimin në përmbylljen e reformës zgjedhore brenda këtij sesioni.
Në takim u theksua rëndësia e heqjes se imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtaret, si një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha e siguroi Sekretarin Jagland për vendosmërinë e qeverisë, për të hequr çdo lloj imunitetit të zyrtarëve ose gjyqtarëve në rastet e krimit të zakonshëm apo korrupsionit, duke shpresuar që edhe opozita do t’i bashkohet këtij qëndrimi, në dobi të së mirës së qytetarëve shqiptarë.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon.
Sekretari Jaglant: Kam kënaqësinë të takohem sërish me Kryeministrin, në vijim të takimit që patëm në Tiranë. I theksova Kryeministrit se fillimi i Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave ka qenë shumë i mbarë dhe ne presim me padurim të shohim ato që do të vijnë më pas, pas kësaj vere, në mënyrë të veçantë konferencën mbi dialogun kulturor e fetar që do të zhvillohet në Tiranë dhe që do të jetë një event shumë i rëndësishëm për Këshillin e Europës. Shqipëria ka shumë eksperiencë, njohuri dhe sfondin historik për të kontribuar shumë në organizimin e kësaj konference.
Gjatë takimit, ne diskutuam për zhvillimet në Shqipëri, si me reformën zgjedhore parlamentare, për të cilat ne jemi të interesuar, si dhe për zhvillimet në rajon.
Ishte kënaqësi të takohem me Kryeministrin Berisha dhe ishte shumë interesante të diskutojmë për këto çështje.
Kryeministri Berisha: Jam i nderuar dhe ju falënderoj zoti Sekretar i Përgjithshëm për mikpritjen. Për mua ishte një rast i veçantë të diskutoj me ju në lidhje me presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Vizita juaj në Tiranë ishte një shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Edhe një herë ju siguroj zoti Sekretar se vendi im do të bëjë më të mirën për përmbushjen me sukses të presidencës së institucionit më të vjetër demokratik të Evropës, Këshillit të Evropës. Ne jemi të nderuar për këtë dhe e marrim si një përgjegjësi të lartë. Ne besojmë se duke punuar sëbashku, zoti Sekretar, me vendet anëtare dhe Asamblenë Parlamentare këto 6 muaj, ajo do të jetë e suksesshme. Çështja ku ne jemi fokusuar është diversiteti dhe motoja e Evropës “Të bashkuar në diversitet” do të jetë moto e kësaj presidence. Shqipëria është një vend i vogël, por që përcjell mesazhin e madh të dialogut ndërfetar dhe mirëkuptimit, që janë të një rëndësishme të madhe në kohën tonë dhe një nga trashëgimitë më të çmuara të kombit tim. Marrëdhëniet ndëretnike janë po ashtu shumë të rëndësishme. Evropa dhe Ballkani janë të pasura në minoritete. Ne mund të kontribuojmë, kemi një traditë të mirë dhe gjithashtu, dokumentet evropiane mbi minoritet janë dhe mbeten një bazë solide për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, në rajonin tonë.
Ne shohim me interes të madh dhe mbështesim plotësisht iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm për të sjellë më pranë vendet e “pranverës arabe”. Unë besoj se këto vende do të kenë një interes dhe përfitim të madh në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës ka think tank dhe institucionet më të mira, për t’i asistuar këto vende në kthimin e tyre drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ne diskutuam gjithashtu për zhvillimet në Shqipëri. Këshilli Evropës ka qenë shumë ndihmues në vendin tim. Situata është në përmirësim. Ne jemi optimistë se pas zgjedhjes së presidentit, procese të tjera do të vazhdojnë. Ne jemi angazhuar me opozitën në reforma themelore, një ndër të cilat ajo zgjedhore.
Ne folëm për zhvillimet e fundit në rajon dhe jemi optimistë, pavarësisht disa problemeve, por besojmë se paqja dhe stabiliteti do të progresojnë. Ne mbështesim shumë marrëveshjen midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe besojmë se implementimi i saj është në interesim më të mirë të dy vendeve, por edhe të rajonit.