Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi sot Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%.
Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në periudhën e ardhshme, ndërkohë që ato ofrojnë stimulin e nevojshëm monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme.
Inflacioni vjetor në muajin maj rezultoi 1.9%, duke vijuar të ndjekë një trajektore graduale rritëse. Në pjesën më të madhe, niveli i inflacionit në muajin maj u ndikua nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Ecuria e të cilëve ka përcaktuar sjelljen e inflacionit në dy vitet e fundit. Ndikimi në inflacion i mallrave të tjerë të shportës mbetet i qëndrueshëm dhe me luhatshmëri të vogël.
Në kontekstin makroekonomik, analiza e zhvillimeve ekonomike e financiare tregon për mungesën e presioneve të forta e të qëndrueshme inflacioniste, gjë që reflektohet edhe në normën e ulët aktuale të inflacionit vjetor. Rritja nën potencial e kërkesës agregate krijon kapacitete të lira prodhimi në ekonomi, të cilat kushtëzojnë më tej presione të dobëta për rritjen e pagave. Inflacioni i importuar mbetet i moderuar, si pasojë e ecurisë së përmbajtur të çmimeve të mallrave bazë, e inflacionit të moderuar në vendet partnere dhe e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit. Gjithashtu, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë të ulëta, efekti i çmimeve të administruara ka qenë minimal, ndërsa zhvillimet monetare dhe situata e likuiditetit në ekonomi është në linjë me qëndrueshmërinë afatmesme të çmimeve.
Të dhënat mbi ecurinë e ekonomisë në pesë muajt e parë të vitit tregojnë për një zgjerim të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Vlerësimet e bazuara mbi të dhëna indirekte, sasiore e cilësore, flasin për një ecuri të dobët të sektorit prodhues në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që sektori i shërbimeve paraqitet më i përmirësuar kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Nga kahu i kërkesës, zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe tregojnë për një moderim të kërkesës së huaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e plogësht. Kjo e fundit diktohet nga ecuria e dobët e shpenzimeve dhe investimeve të sektorit privat, si dhe nga stimuli i ulët fiskal i kësaj periudhe.
Periudha janar – maj është karakterizuar nga një sjellje konsoliduese e politikës fiskale.
Në terma vjetorë, deficiti buxhetor është ulur me 6.5% gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar rritjen e të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore respektivisht me 2% dhe 0.8%. Megjithë reduktimin afatshkurtër të stimulit fiskal, Banka e Shqipërisë gjykon se përqendrimi i sektorit publik në konsolidimin dhe uljen e treguesve të borxhit publik është i domosdoshëm. Kjo politikë do të sjellë përfitime afatmesme dhe afatgjata për ekonominë shqiptare, në drejtim të uljes së primeve të rrezikut në tregjet financiare dhe krijimit të hapësirave për kreditimin e ekonomisë.
Kërkesa e huaj, e cila ka qenë burimi kryesor i rritjes së kërkesës agregate në ekonomi në dy vitet e fundit, është shfaqur e moderuar në katër muajt e parë të vitit 2012. Informacioni i pjesshëm për të, i përftuar nga të dhënat e tregtisë së jashtme, tregon për një tkurrje prej 4% të eksporteve shqiptare gjatë muajve të parë të vitit.
Në një masë të madhe kjo tkurrje ka ardhur nga reduktimi i eksporteve të energjisë elektrike. Duke përjashtuar këtë faktor, eksportet shqiptare rezultojnë të rritura me rreth 7% në terma vjetorë, por kjo rritje mbetet gjithsesi e pamjaftueshme për të mbështetur ruajtjen e ritmeve të rritjes gjatë vitit 2012. Në të njëjtën kohë, importet kanë shënuar tkurrje në katër muajt e parë të vitit, prej 1.8% në terma nominalë. Këto zhvillime janë materializuar në ngushtimin me rreth 2.3% të deficitit tregtar të mallrave dhe shërbimeve për këtë periudhë. Ngushtimi i deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente është një zhvillim i mirëpritur, veçanërisht në prani të luhatshmërisë së lartë të tregjeve financiare botërore.
Zhvillimet monetare kanë qenë në linjë me ecurinë e ekonomisë reale. Norma vjetore e rritjes së ofertës monetare shënoi vlerën 8.3% në muajin prill, duke qenë rreth 0.5 pikë përqindjeje më e ulët se në muajin mars. Ky ngadalësim ka reflektuar financimin më të ulët të bankave për qeverinë si dhe ngadalësimin e kërkesës së sektorit privat për mjete monetare.
Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat regjistroi vlerën 8.1% në muajin prill. Në prani të pasigurive të shtuara për zhvillimet makroekonomike brenda dhe jashtë vendit, sektori privat vazhdon te ketë kërkesë në rënie për kredi bankare. Kërkesa e individëve për kredi konsumatore apo hipotekare paraqitet e dobët, si pasojë e orientimit të shtuar të tyre drejt kursimit. Po ashtu, kërkesa e biznesit për kredi është në rënie, si pasojë e mosshfrytëzimit të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe e pasigurive mbi ecurinë e kërkesës në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, sistemi bankar vazhdon të tregojë kujdes të shtuar në procesin e kredidhënies, megjithëse bilancet e sistemit bankar mbeten tërësisht të shëndosha dhe të afta të mbështesin rritjen e kredisë në vend.
Ngadalësimi i kreditimit është një fenomen i njohur në kontekstin e tregjeve financiare botërore dhe i cili karakterizon zhvillimin e të gjithë ekonomive rajonale. Kredia bankare dhe investimet e huaja direkte përbëjnë dy burimet kryesore të financimit të investimeve afatgjata të sektorit privat në Shqipëri. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se biznesi dhe sistemi bankar kanë hapësira për bashkëpunim më të ngushtë dhe mirëkuptim më të mirë reciprok, në mbështetje të kreditimit.
Tregjet financiare kanë operuar në kushte të mira likuiditeti dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët të normave të interesit. Treguesit e shëndetit të sistemit bankar paraqiten pozitivë dhe të qëndrueshëm, duke qenë në nivele të përshtatshme për rritjen e ndërmjetësimit financiar. Normat e interesit në monedhën vendase kanë vijuar prirjen rënëse edhe në muajt prill e maj, veçanërisht e dukshme kjo në tregun ndërbankar dhe atë të depozitave. Kjo prirje është shoqëruar dhe me rritje të vëllimeve të tregtuara midis bankave dhe të depozitave në lekë. Nga ana tjetër, nivelet relativisht të larta të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë që prej fillim vitit, duket se faktorizojnë më së shumti ndryshime strukturore të tregut primar dhe nuk përcjellin pritje të shtuara inflacioniste.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimet e pritura fiskale e monetare, kjo tendencë mund të kthehet në gjysmën e dytë të vitit, me përmirësimin e raporteve të kërkesës e të ofertës për letra me vlerë të sektorit publik.
Projeksionet bazë për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen vijojnë t’u përmbahen vlerësimeve tona të mëparshme për një rritje ekonomike pozitive, por nën potencial. Ngadalësimi ekonomik në vendet partnere pritet të kushtëzojë një ecuri të dobët të kërkesës së huaj në vazhdim të këtij viti. Në mungesë të hapësirave për stimul të qenësishëm fiskal, ecuria e kërkesës së brendshme do të përcaktohet kryesisht nga konsumi dhe investimet private, të cilat deri tani kanë dhënë sinjale të pakta gjallërimi. Në tërësi, zhvillimet e pritshme ekonomike brenda dhe jashtë vendit pritet të kushtëzojnë rritje të ngadaltë të çmimeve të konsumit në vend.
Sektori real dhe ai monetar përcjellin presione të ulëta mbi çmimet; po ashtu inflacioni në tregjet botërore pritet të jetë i ulët ndërkohë që pritjet inflacioniste janë të ankoruara.
Shuarja graduale e goditjeve të ofertës dhe përfundimi i veprimit të efekteve bazë pritet të shoqërohen me një tendencë të lehtë rritëse të inflacionit në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Me një probabilitet të lartë, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të mbetet nën objektiv gjatë periudhës afatmesme. Këto kushte, në mungesë të goditjeve të paparashikuara, motivojnë ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të natyrës stimuluese të politikës monetare. Rikonfirmimi i angazhimit të qeverisë për vazhdimin e procesit të konsolidimit fiskal edhe në rishikimin e ardhshëm të buxhetit, si dhe qetësimi i situatës në tregjet botërore, do t’i hapnin rrugën rishikimit të qëndrimit të politikës monetare.
Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste mbi çmimet e konsumit në vend mbeten të ulëta përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Në kahun e kërkesës, rritja e ekonomisë nën potencialin e saj do të vazhdojë të prodhojë presione të ulëta inflacioniste. Gjithashtu, edhe presionet e kahut të ofertës, si ato me origjinë ekonominë e jashtme, ashtu edhe ato të gjeneruara nga ambienti makroekonomik në vend, pritet të jenë të moderuara. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në 4.25%.
Këshilli Mbikëqyrës është i angazhuar në përmbushjen e objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme.
Pa cenuar këtë objektiv, ai mbetet i vëmendshëm në monitorimin e kujdesshëm të zhvillimeve makroekonomike e financiare brenda dhe jashtë vendit, për vlerësimin e hapësirave monetare me qëllim mbështetjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm e të jashtëm të vendit.