Damian Gjiknuri Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, është shprehur se PS i kërkon publikisht palës tjetër të shprehet nëse është dakord për korrektim të sistemit zgjedhor. Gjiknuri në një prononcim për mediat tha të mërkurën pasdite, se do ishte mirë që partitë e vogla të mbledhura në një tryezë të mos vënë shenjën e barazisë mes dy partive të mëdha, pasi Partia Socialiste i qëndron fort asaj çka ka deklaruar edhe më parë në mbështetje të kërkesës së partive të vogla.
Deputeti socialist Gjiknuri shkoi edhe më tej kur tha se PS do të kërkojë që çështja e korrektimit të sistemit zgjedhor të bëhet pjesë në ditët e mbetura e komisionit të Reformës Zgjedhore.
"Partia Socialiste me qëndrimet e saj publike gjithmonë ka dashur ta adresojë çështjen e barazisë së votës. Të gjithë shqiptarët e dinë që Partia Socialiste ka qenë promotore e çdo propozimi që përmirësonte gjithëpërfshirjen, transparencën apo barazinë e votës.
Të gjithë janë dëshmitarë që Partia Socialiste ishte shtytësja e procesit të numërimit elektronik, që fatkeqësisht në mënyrë të njëanshme edhe nga ajo paketë e miratuar me konsensus u hoq dorë me sebepe apo pretekste që diheshin më parë. Të gjithë e dinë shumë mirë qëndrimin tonë publik, të PS, që kemi qenë të hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë me forcë korrektimit të sistemit zgjedhor."
Më pas ai ka përfunduar deklaratën për mediat duke thënë " Është koha që Shqipërisë t’i japim një ligj të mirë zgjedhor që adreson transparencën, barazinë e votës dhe zgjedhjet e lira".