English

Presidenti Topi pritet nga Presidentja e Kosovës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, si dhe delegacioni zyrtar që shoqëron Kreun e Shtetit gjatë vizitës sot në Kosovë, u pritën nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në Selinë e Presidencës së Kosovës, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Pas pritjes solemne me ceremonialin zyrtar, nderimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, Presidenti Topi dhe Presidentja Jahjaga zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan bisedimet e delegacioneve respektive.

Në këtë takim, dy Krerët e vendeve mike diskutuan çështje të rëndësishme të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të intensifikimit të bashkëpunimit politik, të forcimit të bashkëveprimit ekonomik e tregtar, shtimit të kontakteve ndërinstitucionale në fusha me interes të ndërsjellë si dhe çështje mbi situatën aktuale në Ballkan dhe perspektivën e sigurt euro-atlantike të Shqipërisë e Kosovës, e të mbarë rajonit.

Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me Zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht Kreun e Aleancës “Kosova e Re”, Behgjet Paçolli dhe me të tjerë personalitete të larta shtetërore.

Gjithashtu Presidenti Topi nuk do të rrijë pa bërë homazhe në Kompleksit Memorial në Prekaz për nder të komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës, e cila është parashikuar ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare.

KOMENTE