English

Destinacionet kryesore të fondit 86.4 milionë euro dhënë nga Komisioni Evropian

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërministror të Planifikimit të Strategjive, bëri me dije destinacionet kryesore të shpërndarjes dhe përdorimit të fondit prej 86.4 milionë euro ndihmë e Komisionit Evropian, në kuadër të IPA-s.

Duke vlerësuar ndihmën bujare të përvitshme që Komisioni Europian i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, Kryeministri vuri në dukje se në të, përfshihen dhjetëra e qindra projekte në të gjitha fushat, ku me përparësi janë fusha e ligjit dhe e shtetit ligjor, konsolidimi i institucioneve, ndërtimi i infrastrukturës, modernizimi i administratës, etj.

Për fondin prej 86.4 milionë për vitin 20123, Kryeministri renditi disa destinacione të rëndësishme ku do të investohet, si.

Fusha e drejtësisë, në çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e Gjykatës Administrative, Agjencisë së Falimentimit, probleme të lidhura me pronën, forcimin e kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale, bashkëpunimi ndërmjet policisë gjyqësore dhe prokurorëve, luftën kundër korrupsionit, parandalimit të pastrimit të parave dhe një seri aktivitetesh të tjera.

Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit, për të cilën qeveria ka angazhimin më të madh.

Investime në ujësjellësa, kanalizime të ujërave të zeza në disa qytete.

Investimi për ndërtimin e rrugës së Elbasanit.

Mbështetje për çështje që lidhen me ndihmën sociale dhe ekonomike.

Investime në doganat e tatimet e vendit, për forcimin e veprimtarisë së tyre dhe rritjen e transparencës.

Mbështetje për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të rritur efiçencën dhe transparencën e veprimtarisë së tij.

Mbështetje e veçantë për Shkollën e Administratës Publike që shumë shpejt do të fillojë veprimtarinë e saj.

Mbështetje për Inspektoratin Qendror, në mënyrë që të dixhitalizohet dhe konsolidohet sa më shpejtë dhe sa më mirë.

Mbështetje në disa drejtime në fushën e bujqësisë, si një fushë jashtëzakonisht prioritare për qeverinë, veçanërisht në drejtim të përmirësimit racor të lopëve, deleve dhe dhive, ngritjen e land-fill-eve, etj.

Mbështetje për ndërhyrje të tjera në lumin Mat, në mënyrë që ky lumë të nxirret tërësisht jashtë rreziqeve të përmbytjes.

KOMENTE