English

Pekini, interes dhe mbështetje për projektin e tramit në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha po merr pjesë në Forumin “Zhvillimi i qendrueshëm i qyteteve, Pekin 2012”në të cilin marrin kryetarë bashkish nga 25 qytete të botës si kryebashkiaku i Uashingtonit, Budapestit, Kopenhagenit, Venecias etj.

Transformimi i qytetit të Tiranës në pak kohë dhe orientimi i zhvillimit të qendrueshëm drejt një Tirane të gjelbër, ka qënë arsyeja që zoti Basha u përzgjodh për të përshëndetur në emër të të gjithë kryetarëve të bashkive në pritjen e mirëseardhjes, organizuar nga autoritet e Pekinit.

Në sesionin hapës të forumit të orientuar drejt sfidave për një zhvillim të qendrueshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka folur për projektin i cili ka nisur të zbatohet në kryeqytetin shqiptar, “Ndërtimi i Tiranës së Gjelbër”.

Projektet e Bashkisë së Tiranës, tha zoti Basha, janë orintuar drejt menaxhimit së trafikut, që së bashku me shtimin e gjelbërimit ndikon drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes. Kjo u konstatua edhe në sheshin kryesor të kryeqytetit, në Sheshin Skënderbej, ku rehabilitimi i tij solli një çlirim të trafikut dhe së bashku me mbjelljen e rreth 800 pemëve ka bërë të mundur uljen me 30% të nivelit të ndotjes. Nderkohe projekte të tjera te cilat janë në zbatim si ndërtimi i Unazës së Madhe, zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, permirsimi I qarkullimit tek rrethrrotullimi i Doganës, ndërtimi I parkimeve nëntokësore, aktualisht ka nisur puna per parkimin nentoksor tek sheshi Italia, parashikohet të ulin ndjeshëm trafikun në kryeqytet. Uljes së trafikut do t’i shërbejë edhe rehabilitimi që t’u bëhet nyjeve të trafikut e cila parashikohet në projektin e nisur tashmë të Kontrollit të Trafikut Urban. ky projekte parashikon rehabilitimin e rreth 70 nyjeve te trafikut vendosjen ne akset kryesore te 6 pajisje VMS (Tabela Informacioni në rrugë me Informacione te ndryshueshme) dhe instalimin e 23 kamera TVÇ, me vrojtim dite e natë. Gjithçka do të menaxhohet, drejtohet dhe kontrollohet nga Dhoma e Qendrës Operacionale të Kontrollit.

Ndërtimi i linjës së tramit është një tjetër projekt, finalizimi i të cilit, sipas Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të ketë një impakt të rendësishëm në reduktimin e ndotjes. Një vëmëndje e veçantë, sipas zotit Basha po i kushtohet krijimit të korsive të dedikuara për biçikleta. Një gjë e tillë është mundësuar përgjatë Sheshit Skënderbej dhe do të vijë me rrugët e tjera në kryeqytet

Zoti Basha ka theksuar se Bashkia ka nisur rehabilitimin e Parkut të Liqenit të cilit shumë shpejt do t’i jepet edhe status mbrojtës “Park Rajonal”. Brenda këtij janë parashikuar të mbillen rreth 4 mijë pemë. Ky është vetëm një hap drejt Tiranës së Gjelbër. Përveç Parkut të Liqenit, Bashkia e Tiranës do të krijojë mushkëri të re për qytetin siç është Parku i Paskuqanit, por po kështu ka përfshirë në projektet e saj rikuperimin e Parkut të Farkës. Njëkohësisht do të ketë koridore të reja ekologjike që shtrihen përgjatë Bulevardit të ri dhe krijimit të një zonë rekreative përgjatë Lumit të Tiranës. Zoti Basha theksoi se edhe hartimi i draft-planit urbanistik ka patur si kryefjale Tiranën e gjelbër. Në lagjet e kryeqytetit po shfrytëzohen të gjitha hapësirat e mundshme për të krijuar parqe, sikundër brenda këtij viti në Tiranë do të mbillen 10 mijë pemë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Luzlim Basha ka zhvilluar takime të veçanta me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit Vincent Gray, të Budapestit Istvan Tarlos, të Kopenhagen Frank Jensen etj. Në këto takime, zoti Basha ka nënvizuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit për të arritur një nivel të lartë të shërbimit ndaj qytetarëve dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi njësërë takimesh me autoritet të larta të Pekinit ku në qendër ishte mbështetja për ndërtimin dhe financimin e linjës së tramit. Zoti Basha u prit në takime të veçanta nga kryetari i Bashkisë së Pekinit Guo Jinlong dhe nga sekretari i CPC Liu Ci, ku ka marrë mbështetje për këtë projekt strategjik për Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Pekinit i ofroi mundësinë, zotit Basha, që të diskutojë në detaje për projektin e tramit me një grup pune të ngritur për këtë qëllim dhe të drejtuar nga Kryetari i Komitetit të Planifikimit Urban të Pekinit Z. Ye Dahua, e të përbërë nga drejtuesit e departamenteve dhe komisioneve më të rendësishme në Bashkinë e Pekinit, të cilat kanë planifikuar, projektuar dhe zhvilluar sistemet të tramvajit e metrosë në Pekin. Pas diskutimeve të detajuaja u vendos që një përfaqësi e posaçme e planifikimit urban të Pekinit të vizitojë së shpejti Tiranën për të parë në terren ku do të shtrihen linjat e tramit dhe modalitet e tjera për zbatimin e këtij projekti.

Në vijim të vizitës në Pekin, zoti Basha u takua dhe me drejtues të kompanisë shtetërore e sigurimit të eksporteve për kompanitë kineze, Sinosure. Drejtuesit e kësaj kompanie konfirmuan mbështetjen maksimale për kompanitë kineze që zgjedhin të bashkëpunojnë me Shqipërinë.

KOMENTE